E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana merr Kupën, finale epike kundër Skënderbeut

TIRANË- Tirana ka fituar për herë të 15-të Kupën e Shqipërisë, duke mundur 1-0 në finale Skënderbeun. Një gol i Bekim Balës në minutën e 107-të, i ka dhuruar trofeun ekipit kryeqytetas, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në "Qemal Stafa". Edhe pse përballë kishte një ekip të mbushur me yje, Tirana e ka dominuar takimin, duke e kërkuar më shumë golin dhe duke e gjetur atë në momentin që mendohej se sfida do të shkonte me penallti. Në fund, festa ka qenë e gjitha bardheblu, teksa Tirana arrin të hakmerret për dështimin në kampionat. Gjithçka e merituar për kryeqytetasit, që edhe pse nuk kanë në përbërje organikën e ekipit korçar, treguan se dinë të fitojnë në momentet decizive. Një meritë e madhe edhe e trajnberit Hulian Rubio Sançez, që e mbyll sezonin ashtu siç e nisi, me një trofe. Spanjolli arriti të hedhë në fushën e lojës një skuadër të kujdesshme dhe me një shpirt gare të jashtëzakonshëm, gjë që nuk u pa për asnjë moment te Skënderbeu. Për Tiranën, ishte trofeu i 15-të i Kupës dhe që i jep në njëfarë mënyre kuptim sezonit të saj.
NDESHJA
Sfida e mbrëmshme ka dhuruar një lojë deri diku të vakët, por kjo edhe për shkak edhe të faktit se Skënderbeu ka qëndruar shumë pasiv në fushën e lojës, duke pritur kundërshtarin në zonë dhe duke përdorur kundërsulmin. Gjithsesi, rastet më të mira i ka patur ekipi kryeqytetas, që ka tentuar herë pas here të shënojë. Cikalleshi tentoi dy herë në mënyrë të rrezikshme në pjesën e parë, por goditjet e tij nga jashtë zone, nuk përfunduan në rrjetë. Ndërkohë, Skënderbeu humbi që në pjesën e parë Gjergji Muzakën për arsye dëmtimi, ç'ka duket se ndikoi jo pak në lojën e tij. Në pjesën e dytë, korçarët treguan se kishin dëshirë të fitonin, por sërish ishin të paqartë në lojën e tyre. Madje, edhe në këtë fraksion rastet më të mira i pati Tirana, ndonëse me pikatore. Në këtë pjesë nuk mungoi edhe një ndërprerje e lojës për shkak të sharjeve të pafundme të tifozëve, sidomos atyre korçarë. Koha e rregullt ndërkohë përfundoi në barazim pa gola, ndërsa për të vendosur fituesin, u desh koha shtesë. 
SHTESA
Pas një 15-minutëshi të vakët, që më shumë ishte i ndaluar për arsye të ndërhyrjeve të rënda, minuta e 107-të ka sjellë edhe golin e vetëm të kësaj sfide, me Bekim Balën që arriti të realizonte me kokë pas një krosimi nga e majta. Sulmuesi shkodran kërceu më lart nga të gjithë dhe topi, pasi u përplas në shtyllë, përfundoi në rrjetë, me Shehin që e kishte të pamundur ta ndalte. Deri në fund, Tirana mund të kishte realizuar edhe dy gola të tjerë, por në të dy rastet ishte Bala ai që përfundoi gjithçka, madje në një moment në mënyrë thuajse fatale. Gjithsesi, Skënderbeu nuk arriti të gjejë dot barazimin dhe në fund trofeu i shkoi ekipit bardheblu, që e fiton atë për herë të 15-të në histori. Ndërkohë, Skënderbeut i duhet të kënaqet vetëm me titullin kampion, të cilin e fitoi një javë më parë.
(el.me/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›