Tirana mund Vllazninë dhe ringjall shpresat
Bylisi e Laçi ulin ritmin në kampionat. Flamurtari synon ti shtyjë festën Skënderbeut
Altin Manallari
Tirana fiton dhe parakalon Vllazninë, duke ringjallur shpresat për zonën europiane. Laçi e Bylisi ulin ritmin në kampionat me mendjen te finalja e Kupës. Sot, Flamurtari synon ti shtyjë festën e titullit Skënderbeut, ndërsa ndizet lufta për dy prej vendeve që të çojnë në Europa League.
Bardheblutë i janë falur një penalltie, e kthyer në gol nga kapiteni Gilman Lika. Shkodrani ka ndëshkuar Vllazninë e vendlindjes së tij në një përballje skuadrash me traditë në futbollin tonë, por që kanë pasur probleme të shumta sezonale. Në Qemal Stafa është luajtur një ndeshje e vërtetë, ku palët sfidonin njëra-tjetrën në një moment të pazakontë, shumë larg objektivave madhorë. Megjithatë në fushë kanë demonstruar një lojë plotë grintë sportive, e denjë për një klasike të futbollit shqiptar. Të dy skuadrat dhanë maksimumin, por diferencën e bëri goli i vetëm i Gilman Likës me 11 metërsh në minutën e 48-të. Tri pikë që i mbajnë 24 herë kampionët e vendit në lojë për zonën europiane, edhe pse me këtë fitore ngjisin vetëm një pozicion në klasifikim, duke parakaluar Vllazninë në vendin e pestë. Bardheblutë kanë një pikë më pak se vlonjatët dhe durrsakët, që do ti luajnë sot ndeshjet e tyre të javës së 23-të. Bylis dhe Laçi, dy finalistet e Kupës së Shqipërisë, duket se kanë ulur ritmin në kampionat, duke u mundur nga skuadrat e fundit të tabelës. Në Peqin nuk dorëzohen për mbijetesën për sa kohë që matematika i mban në lojë. Shkumbini mposhti në shtëpi me rezultatin 2-1 Bylisin, i cili ende nuk e ka siguruar qëndrimin në Superiore. Edhe pse ishin miqtë ata që shënuan të parët në minutën e 25-të me anë të Bakiut, vendasit barazuan me Dervishin, ndërsa pak minuta para përfundimit të takimit, Lluca realizon dhe golin e fitores. Një triumf i rëndësishëm ky për skuadrën e Miles, duke qenë se ekipi lufton për mbijetesë, ku gjithsesi shpresat janë të pakta. Një fitore jo me shumë vlera ajo e Tomorit ndaj Laçit me shumë mungesa, ku beratasit iu imponuan 2-0 laçianëve, që gjithsesi sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë. Golat u shënuan nga Arbri (25) e Sulejmani (45). Një ndër ndeshjet më të rëndësishme të ditës së sotme do të jetë Flamurtari-Skënderbeu në Vlorë, ku vlonjatët synojnë fitoren jo vetëm për të vazhduar luftën për Europa League, por edhe për ti shtyrë festën e titullit rivalit më të urryer të tyre të tre edicioneve të fundit.
Superiore (Java XXIII)
DJE
Shkumbini-Bylis 2-1
Dervishi 58, Lluca 84 / Bakiu 25
Tomori-Laçi 2-0
G.Arbri 25, Sulejmani 45
Tirana-Vllaznia 1-0
G.Lika 48 (11-m)
SOT
14:00 Kastrioti-Luftëtari
14:00 Teuta-Apolonia
17:00 Flamurtari-Skënderbeu
17:00 Besa-Kukësi
Klasifikimi
Skuadrat N P
1. Skënderbeu 22 52
2. Kukësi 22 40
3. Flamurtari 22 39
4. Teuta 22 39
5. Tirana 23 38
6. Vllaznia 23 35
7. Laçi 23 34
8. Kastrioti 22 31
9. Bylis 23 30
10. Besa 22 27
11. Shkumbini 23 21
12. Luftëtari 22 18
13. Tomori 23 15
14. Apolonia 22 10
Tirana mund Vllazninë dhe ringjall shpresat burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email