E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana nuk ka tregëtuar armë në Gjeorgji

Karabina: Kemi të drejtën e shitjes

Ministria e Mbrojtjes tha mbrëmë se nuk ka asnjë dijeni për shitje apo për trafik armësh nga Shqipëria në Gjeorgji. Petrit Karabina, zëvendësministër i Mbrojtjes, i tha “Korrierit” rreth orës 21 se nuk ka ditur që të jetë ushtruar kjo veprimtari tregëtare, ndonëse pohoi se sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare, ajo është e ligjshme. Por, Karabina përsëriti se nuk dinte që të ishin shitur armë në Gjeorgji. Reagimi i Karabinës erdhi pas Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Ruse, Gjenerali Anatoli Nogoviçin akuzoi Shqipërinë, mes disa shteteve ish-komuniste, që të kishte shitur armë në Gjeorgji. I pyetur fillimisht nëse kishte ndonjë informacion ministria e Mbrojtjes, mbi këtë akuzë të Rusisë, Karabina tha se “nuk kam ndonje njoftim për këtë gjë” dhe se “unë nuk kam dijeni për shitje armësh”. Megjithatë, Karabina e la të hapur mundësinë që tregëtia e armëve të bëhet apo të ishte bërë, sipas tij mbështetur në ligjet dhe rregullat vendase dhe ndërkombëtare. “Ka edhe diçka tjetër, që Shqipëria, si çdo vend tjetër, në përputhje me rregullat ndërkombëtare, veç ligjeve, tona, mund të shesë dhe të blejë armë. Por, për në Gjeorgji, unë nuk kam asnjë informacion dhe nuk mund të them gjë”. Ai shtoi se “Gjeorgjia nuk ka qenë në konflikt”, për të saktësuar nëse shitja e armatimit mund të kishte prekur vende që kishin gjendje të tilla, sikurse Gjeorgjia që megjithatë ka pasur trupa paqeruajtëse ruse në Osetinë e Jugut dhe Abkazi. “Jo nuk e di, që të të them, apo që nuk e di që të jenë dërguar atje. Nuk besoj të jenë dërguar armë atje, sepse nuk do të na kishin lënë rregullat dhe kjo është situata”-tha më pas Karabina.

Akuza nga Moska

Gjenerali Anatoli Nogovicin u citua dje të kishte thënë se Shqipëria e ka furnizuar ushtrinë e Gjeorgjisë me armatim, pa saktësuar llojin apo sasinë. Gjenerali rus e përfshiu Shqipërinë në këtë akuzë, mes vendeve të tjera të Europës Lindore, që i përmendi se i kanë shitur armë Tbilisit. Sipas Nogoviçinit, Rusia, akuzon për shitje armësh ushtrisë gjeorgjiane, veç Shqipërisë, edhe Rumaninë, Bullgarinë, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Ukrainën, Hungarinë dhe Serbinë. Ushtria e Gjeorgjisë sulmua nga armata ruse pas ndërhyrjes në Osetinë e Jugut 6 gusht dhe nuk arriti të mbrojë territorin e vendit që u pushtua në më pak se 10 ditë me trupa që shkuan deri në 35 kilometra larg kryeqytetit Tbilisi. Akuzat për shitje armësh Moska ia kishte bërë më parë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›