E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik kokaine me makinë CD

Arsen Selmanllari mohon akuzën: Nuk kam lidhje me kokainën. Ambasada: Ditën e arrestimit shoferi e mori makinën pa njoftuar personelin. Gjykata e Milanos lë në burg të dyshuarin dhe të dashurën e tij 34-vjeçare

MILANO - Shoferit të ambasadës shqiptare në Itali i gjendet 1 kilogram kokainë në automjetin me targa diplomatike. Ky është skandali më i fundit që ka përfshirë përfaqësinë tonë diplomatike në Romë, kur shoferi i ambasadës, Arsen Selmanllari, është prangosur nga agjentët e Guardia di Finanza-s me 1 kilogram kokainë të fshehur në bagazhin e automjetit me targa diplomatike. Policia pasi ka parë dokumentin e identifikimit të Selmanllarit, ka kontaktuar menjëherë me ambasadën shqiptare në Romë dhe Ministrinë e Jashtme, e cila ka konfirmuar se i dyshuari ishte pjesë e trupit diplomatik, ndërsa ka mbajtur të fshehur lajmin. Ndalimi i 33-vjeçarit është publik nga mediat italiane, të cilat u referohen zyrtarëve të policisë së Milanos, që thanë se 33-vjeçari ka paraqitur dokumente që tregonin se ai ishte pjesë e përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë në Itali. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, bëhet me dije se Arsen Selmanllari ka tërhequr vëmendjen e agjentëve të Guardia di Finanza që hetojnë krimin e organizuar, pasi kishte ndaluar automjetin në një vend të ndaluar në dalje të Milanos, në lindje të zonës Tangenziale. Policia raportoi se bashkë me të në automjetin me targa diplomatike ka qenë dhe një grua 34 vjeçe, e dashura e shoferit të ambasadës, por nuk ka bërë publik identitetin e saj. Pasi kanë parë automjetin e dyshimtë, agjentët kundër krimit të organizuar i kërkuan drejtuesit të mjetit që të hapte bagazhin, ndërsa ai mësohet se ka reaguar me nervozizëm. Ky veprim ka ngjallur akoma më shumë dyshime tek agjentët, të cilët janë përballur edhe me një dokument të përfaqësisë diplomatike që 33-vjeçari u ka treguar për t’u mbrojtur. Nga kontroll i ushtruar në makinën me targa diplomatike, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 1 kilogrami lëndë narkotike kokainë, e cila ishte e ndarë në dy pjesë. Menjëherë u shoqërua shoferi i ambasadës dhe 34-vjeçarja, e cila punonte si kamariere në një lokal në Romë. Pas kësaj mase, drejtori i Antimafies rajonale, Marcelo Musso, kërkoi që dy shqiptarët të mbeten në burg për akuzën e trafikut të narkotikëve. Kjo ishte dhe masa që dha dje Gjykata e Milanos. 33-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me sasinë e kokainës që ndodhej në automjetin e ambasadës shqiptare, ndërsa kërkoi nga gjykata që të lirohej e dashura e tij, e cila nuk kishte asnjë dijeni për ngjarjen. Por gjykata vendosi të mbajë në burg dy të dyshuarit, si dhe caktoi datën 2 shtator për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore ndaj shoferit të ambasadës dhe të fejuarës së tij 34-vjeçare. Sipas të dhënave të përfaqësisë sonë diplomatike në Romë, bëhet me dije se ditën kur Arsen Selmanllari është kapur me 1 kilogram kokainë, kishte marrë makinën pa vënë në dijeni personelin e ambasadës.

Ministria e Jashtme distancohet

Edhe pse ishte vënë në dijeni dy ditë më parë nga autoritetet italiane, Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar vetëm pas publikimit të lajmit për arrestimin e shoferit të përfaqësisë sonë diplomatike në Romë. Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare ka shkarkuar nga detyra Arsen Selmanllarin dhe i ka hequr të gjithë privilegjet që gëzonte nga statusi i diplomatit. Gjithashtu, Ministria e Jashtme ka bërë edhe një kallëzim penal ndaj shoferit të ambasadës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›