“Tirana s’ka njohur një barbari të tillë ndaj të rinjve” – Berisha: Nesër më shumë se kurrë, gjimnazistët dhe studentët kanë nevojë për mbështetjen e çdo shqiptari
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve, prindërve, diasporës dhe bizneseve që të bashkohen nesër në Tiranë në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve në protestën kundër qeverisë.

Në një deklaratë, Berisha akuzoi policinë për dhunë brutale ndaj të rinjve. Ai denoncoi përdorimin e gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe mjeteve të tjera të forcës, ndërsa e cilësoi situatën si një akt barbarie.
“Që nga data 13 gjer sot, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, narkobanditë me uniformë janë sjellë në mënyrën më shtazore me akte barbare ndaj studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës.
I kanë keqtrajtuar, torturuar, ndaluar dhe arrestuar me qindra e qindra prej tyre. Kanë mbushur komisariatet me të mitur, me vajza, me qytetarë dhe të moshave më të shtyra.
Barbaritë e tyre mbi trupat e rrëzuar të të rinjve dhe studentëve, thyerja e kockave, çarja e kafkave me bombola gazi, me plumba gome, përdorimi i granatave të gazit dhe zhurmuese, përdorimi i tonelatave gaz të skaduar ariu, spraj ariu, shkopinjtë e gomës shoqëruar me shufra hekuri.“, tha Berisha.
Berisha e përshkroi protestën studentore si një betejë për të ardhmen. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë solidaritet dhe të marrin pjesë masivisht në tubimin e paralajmëruar për nesër në kryeqytet.
“Nesër, mijëra e mijëra burra, gra, djem dhe vajza, nga mbarë Evropa vërshojnë drejt Tiranës. Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, çdo prind, nënë, baba, ftoj të gjitha bizneset e vendit të solidarizohemi nesër në Tiranë me studentët, të cilët në këtë betejë epike po mbrojnë më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen e tyre në këtë vend, ëndrrën e tyre shqiptare nga një zjarrvënës, armik i egër i kombit.
Po mbrojnë dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. Janë ngritur viganë kundër bandave të drogës në qeveri, narkoshtetit me pasojat e tij shkatërrimtare, kreut të këtij narkoshteti, Padrinos Edi Rama.
Solidariteti dhe mbështetja jonë për studentët është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë.”, shtoi Berisha.