E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizitoi Shqipërinë, Trump shkarkon nga detyra e të dërguarit të posaçëm Paolo Zampollin! E-mail zbuluan përplasje dhe sulme personale me DASH

Paolo Zampolli, biznesmen dhe ish-agjent modelingu me lidhje të ngushta me familjen Trump, është larguar nga detyra e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për partneritetet globale.

paolo zampolli

Lajmi u konfirmua të enjten nga një zyrtar amerikan, i cili bëri të ditur se Zampollit i ishte komunikuar përfundimi i mandatit dhe se ai nuk ishte më pjesë e administratës amerikane. Dy zyrtarë të tjerë konfirmuan gjithashtu largimin e tij.

Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi Politico publikoi një raport për një përplasje disa mujore mes Zampollit dhe zëvendëssekretarit të Shtetit, Christopher Landau. Sipas raportimit, mosmarrëveshjet përfshinin një sërë çështjesh, veçanërisht ndarjen e kompetencave dhe respektimin e hierarkisë institucionale. Në komunikimet me email mes tyre, sipas raportit, kishte edhe sulme personale.

Zampolli është personi i dytë në radhët e diplomacisë së administratës Trump, me lidhje personale me presidentin amerikan, që largohet nga detyra ditët e fundit. Më herët, Kimberly Guilfoyle u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i ambasadores së SHBA-së në Greqi.

Zampolli: Shërbimi ndaj Trump dhe SHBA-së ishte nderi më i madh i jetës sime

Në një deklaratë të publikuar të enjten, Zampolli bëri të ditur se mandati i tij si i dërguar i posaçëm ishte parashikuar të zgjaste vetëm një vit, por presidenti Donald Trump ia kishte zgjatur atë edhe me gjashtë muaj.

Ai kujtoi gjithashtu marrëdhënien e tij me Trumpin, duke thënë se presidenti e kishte orientuar më herët drejt fushës së pasurive të paluajtshme, duke e larguar nga modelingu.

“Vite më parë, më tha se isha shumë i mirë për modelingun dhe më përfshiu në biznesin e pasurive të paluajtshme. Tani më tha: ‘Pse dëshiron të punosh në qeveri, kur mund të realizosh gjithë këto marrëveshje?’”, u shpreh Zampolli.

“Presidenti ka gjithmonë të drejtë”, shtoi ai, duke e cilësuar shërbimin ndaj Trumpit dhe Shteteve të Bashkuara si nderin më të madh të jetës së tij.

Zampolli falënderoi presidentin Trump, zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe pjesën tjetër të ekipit të administratës.

Ai tha se tashmë do t’i rikthehet biznesit, krijimit të marrëdhënieve të reja dhe arritjes së marrëveshjeve tregtare.

“Presidenti Trump ma ndryshoi jetën një herë. Sapo e bëri sërish”, deklaroi ai.

Kush është Paolo Zampolli?

Donald Trump e emëroi Zampollin të dërguar të posaçëm për partneritetet globale në mars të vitit 2025. Në atë kohë, presidenti amerikan deklaroi se përvoja e tij në bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara, Qendrën Kennedy dhe nisma të ndryshme ndërkombëtare do të ndihmonte në avancimin e interesave amerikane në arenën globale.

Zampolli, biznesmen dhe ish-agjent modelingu, ka pasur lidhje të hershme me Melania Trump. Ai ka treguar se në vitin 1998 organizoi një mbrëmje gjatë së cilës prezantoi Melanian me Donald Trumpin, i cili më vonë u bë bashkëshorti i saj.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, Zampolli ishte pjesë e bordit të Qendrës Kennedy. Ai ka shërbyer gjithashtu si ambasador i Dominikës, një shtet ishullor në Karaibe, pranë Kombeve të Bashkuara.

Kujtojmë se një muaj më parë Zampolli vizitoi Shqipërinë, ku pati takime të nivelit të lartë. Ndër të tjera vizitoi dhe selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku me Baba Mondin në krah shprehu mbështetje amerikane për formimin e shtetit bektashi.

Gjatë ushtrimit të detyrës si i dërguar i posaçëm, Zampolli ka promovuar marrëveshje biznesi që, sipas tij, i kishte siguruar administratës amerikane.

Polemika për Botërorin e futbollit

Zampolli u përfshi në një tjetër polemikë në fillim të këtij viti, kur sugjeroi që Italia të zinte vendin e Iranit në Kupën e Botës. Ai argumentoi në një intervistë për CNN se besonte që Irani nuk do të merrte pjesë në turne për shkak të luftës me Shtetet e Bashkuara.

Italia, vendi ku Zampolli ka lindur, nuk ishte kualifikuar për kompeticionin.

“Një Kupë Bote pa Messin nuk është Kupë Bote”, tha ai, duke shtuar se Italia kishte merita të mjaftueshme, pasi e kishte fituar turneun katër herë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›