Tirana sot, e mbushur me reporterë të huaj e me turistë zgjedhorë
Dhjetëra makina me targa Kosove kanë pushtuar që ditën e djeshme Tiranën. Top Channel raporton për rritje të ndjeshme të kosovarëve që kanë mësyrë Tiranën, të cilët nuk kanë mbërritur këtu vetëm për të shkuar në plazh, por edhe për të votuar. Diplomatët shqiptarë janë sjellë me urgjencë në Tiranë për të votuar, po ashtu kompania e lidhur me Bashën, Belle Air, i ka kthyer avionët e saj në autobusë urbanë për të sjellë sa më shumë student nga jashtë. Denoncimet e PS për votues të regjistruar rishtas në Tiranë, që nuk janë banorë të saj, si dhe fakti se kartat e identitetit mund të manipulohen, kanë rritur tensionin.
Edhe pse kryeministri Sali Berisha thotë se vendi është i qetë, një ushtri reporterësh të huaj ka mbërritur në Tiranë për të vëzhguar këto zgjedhje, të cilat në raportet e tyre cilësohen si mjaft të tensionuara. Këto zgjedhje vijnë pas një fushate të dhunshme, shkruajnë këto mediat. Deri më tani një gjë dihet, beteja me fushatën ka humbur. Tani të presim si do shkojë kjo ditë.