E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana thyen Dinamon Blutë dorëzojnë titullin

(ALBANIA SPORT) - Tirana fitoi 2-1 derbin e 134-t me Dinamon ne takimin permbylles se javes se 18-te te Kategorise Superiore, pavarësisht se kampionia në fuqi shënoi e para me anë të Elis Bakajt, në ndeshjen e këtij të fundit me blutë, pasi lojtari më i mirë i vitit 2010 do të firmosë një kontratë me Dinamon e Bukureshtit.

Me dy kartonë të kuq – një për trajnerin e Dinamos, Ilir Daja, dhe një tjetër për zëvendësuesin Peqini – Dinamo pësoi humbjen e gjashtë sezonale.

Bakaj shënoi një gol të shpejtë në minutën e 4-t pas një pasimi të nigerianit Orelesi, - goli i 11-të sezonal për sulmuesin e Dinamos, por pas 15 minutash sulmuesi i talentuar i Tiranës, Mario Morina, vendosi ekuilibrat në fushë. Goli i dytë sezonal për 19-vjeçari Morina.

Pas 15 minutash të tjera, në të 39’, kapiteni Devis Mukaj, pasi u iku dy mbrojtësve dinamovitë,  pasoi për Gilman Likën, ky i fundit u pengua nga kapiteni blu, Arjan Pisha, dhe Lorenc Jemini akordoi penallti.

Andi Lila ekzekutoi saktë duke firmosur fitoren 2-1 të Tiranës me Dinamon dhe kapjen e vendit të katërt me 29 pikë, përpara se të ndeshet me Skënderbeun ditën e enjte, në ndeshjen e prapambetur të javës së 17-të.

Në ndeshjet e tjera të javës së 18-të, Laçi fitoi 2-0 me Kastriotin, Skënderbeu po 2-0 me Bylisin, dhe po me këtë rezultat fitoi Besa me Elbasanin e vendit të fundit.

Lideri i kampionatit, Flamurtari (40 pikë), fitoi 4-2 me Shkumbinin, ndërkohë që një fitore të rëndë në transfertë siguroi Vllaznia, duke mundur 3-0 Teutën në Durrës me një tripletë të Vioresin Sinanit.
   
Renditjen e golashënuesve e bashkëkryesojnë me nga 12 gola, Pero Pejiç i Tiranës dhe Daniel Xhafaj i Flamurtarit.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 01 Shkurt 2011

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›