Tirana urbane nga themelet
Më 5-6 dhjetor nga mëngjesi në darkë, në Universitetin Politeknik të Tiranës, u mbajt konferenca me temë: Arkitektët dhe Inxhinierët Italianë në Shqipëri e organizuar nga Departamenti i Arkitekturës, Vizatimit, Historisë, Projektit të Universitetit të Firences, Departamenti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë dhe Ambasada Italiane. Është e treta konferencë ndërkombëtare e këtij lloji që mbajnë universitetet italiane, të përqendruara te Prania e arkitektëve italianë në vendet e Mesdheut, këtë herë duke iu referuar Shqipërisë, kryesisht Tiranës.
Nga pala shqiptare referuan arkitektë, studiues dhe studentë të masterit, nga italianët profesorë të Universitetit Oriental të Napolit, Firences, Milanos, Palermos, Kamerinos, ai Politeknik i Torinos. Ditën e parë kumtesat filluan me një prezantim të Tiranës para se të fillonte procesi i urbanizmit.
Kryetari i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, Artan Shkreli, e nisi me retrospektivën qysh me qendrën e banuar, që në fakt duket se është mjaft e vjetër dhe së pari zihet ngoje në shekullin VI prej Prokopit të Qezaresë, kur ai përmend kështjellën e restauruar të Turranës në Epirin e Ri, por gjurmët urbane të saj mund të shihen ende në një kishëz paleokristiane shtruar me mozaik në perëndim të qytetit të sotëm, pranë vendit që dikur quhej Krojet e Shinjinit. Dyndja gote e më pas vala avaro-sllave e rrënoi kështjellën aty pari e cila, sipas burimeve, pas një heshtjeje disashekullore, do të rindërtohej nga feudalët vendas vetëm në kohën e sundimit turk, në fund të shek XII.
Vijon më tej fjalimi me izolimin e Shqipërisë nën perandorisë osmane. Ja si na e sjell Shkreli Tiranën e kohës: Ajo mbeti një qendër e orientuar nga bujqësia dhe jeta e saj monotone thyhej vetëm ditët e pazarit kur nga fshatrat rrotull dhe nga malësitë lindore vinin katundarët për të shitur prodhimet e tyre. Në këtë gjendje e gjetën udhëtarët perëndimorë qytetin kur forca e Perandorisë Osmane kishte rënë dhe perdja e hekurt me perëndimin kishte nisur të shqyhej. Një gravurë e Eduard Learit e 1851-shit tregon sheshin e tregut pranë xhamisë së vjetër (djegur më 1944-n) dhe shkallën e ulët të urbanizimit të qytetit.
Nën Austro-Hungarinë, kryeqyteti përfiton nga inxhinierët e saj rilevimin e parë, duke dhënë trajta urbane, sikundër ato që gjendeshin përpara ndërhyrjeve urbanistike. Tirana shpallet kryeqytet dhe, sipas arkitektit, ka dëshmi për një ndërhyrje të Ethem Pashë Toptanit aty nga viti 1908, që më saktë janë disa makiazhe të fasadave të pazarit të qytetit.
Ndihma më e madhe në zhvillimin, projektimin fund e krye të kryeqytetit dhe investimin në punët publike vjen nga Italia me krijimin e SVEA-s (Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik Shqiptar). Dëshminë më të gjallë për marrëdhënien mes dy vendeve vijnë nga arkitektja Elisabetta Procida, kuratorja e arkivit Brazini, së cilës familja e arkitektit i ka lënë në dorë arkivin e tij, dokumente që më së shumti janë botuar dhe një dëshmi e diplomës, dizenjo. Brazini është i pari arkitekt, urbanist italian që shkeli në Shqipëri. Procida rrëfeu se nuk ishte e lehtë që Shqipëria të përfitonte hua nga vendin fqinj. Shihej disi me frikë, nuk kishin besim në kthimin e huasë.
Armando Brazini (Armando Brasini, 1879-1965) ka rëndësi për historinë e arkitekturës dhe urbanizimit në Tiranën e mes viteve 20 sepse është i pari arkitekt që i jep një fytyrë të re qytetit.
Procida flet për një ekspozim të punëve të tij te Villa Borghese, ku ai ka ndërtuar qytete të vogla romane, për të vijuar më tej për një fakt tjetër që dëshmon afrinë e tij me Musolinin. Margerita Sarfati, një intelektuale mjaft e njohur dhe, mbi të gjitha, dashnorja e Musolinit fakton edhe një herë afrinë e politikanit për arkitektin përmes një artikulli të gjatë që shkruan për ekspozimin. Kuratorja nuk thotë me siguri nëse arkitekti ishte thirrur nga Shqipëria apo ishte rekomanduar nga Italia, por një fakt nuk mund të lihet pa u përmendur, ai ishte i njohur, kishte prezantuar Italinë në Paris më 1925-n në një pavijon të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit Dekorativ, bashkëpunonte prej vitesh bashkë me Xhuzepe Volpin, ministër i Financave, dhe në vitin 1926 firmos projektin në vilën e Romës për Pompeo Aloisin. Ishte edhe një njeri shumë aktiv dhe i hapur.
Para se të vinte këtu, punoi një kohë edhe në Tripoli (Libi) që ishte një koloni e Italisë, ku Volpi ishte guvernator (ashtu si të tjerë arkitektë italianë të shpërndarë në Mesdhe). Emrin e tij mban edhe kompleksi Buon Pastore, një kuvend dhe një kolegj si për edukimin e fëmijëve, edhe për riedukimin e nënave të reja. Brazini vjen më 1926-n, kur u vendos Pakti i miqësisë dhe sigurisë mes Italisë dhe Shqipërisë.
Për projektet që pritej të ngrinte dhe të realizonte, kishte kërkuar 100 mijë lira, vetëm për vete. Nuk i mori kurrë nga Zogu. Projektet e tij ishin shumë të kushtueshme, tregon Procida. Po si shpjegohet që ai nuk u shpërblye? Bënte dizenjot, pastaj harrohej, merrej me diçka tjetër. Në Shqipëri nuk mbaroi kurrë projekte. E vetmja gjë që mbetet prej tij, është ideja e aksit nga sheshi Nënë Tereza përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, si do mendohej qyteti, nga do shihte.
Më pas vijon rrugëtimi i ndërtimit të Tiranës me të tjerë arkitektë të rëndësishëm:
Florestano Di Fausto (1890-1965). E gjejmë në projektet e urave, Pallatin Mbretëror, planin rregullues të Tiranës. Di Fausto mundohet të gjejë një baraspeshë midis përbërësve urbanë, si dhe midis arkitekturës së re dhe asaj të mëparshme…
Gerardo Bozio (Gherardo Bosio, 1903-1941), inxhinier, arkitekt, urbanist, njeriu që ka kryer një sërë veprash në Tiranë. Për Bozion referoi në konferencë Armand Vokshi nga Universiteti Politeknik. Vokshi tregon në krye të herës që arkitektit iu duk qyteti si një kopsht. Mendon të bëjë një sistem që shpërndahet si një njollë vaji. Sugjeron dy unaza që janë kryesore – ne me zor sot po mendojmë të bëjmë Unazën e Madhe – Autostradën për Durrësin më 1939-n, sistemon lumin e Lanës, projekton një sërë piacash, bulevardit i jep një forcë të jashtëzakonshme…. Bozio nuk kërkon një shpërfytyrim të Tiranës, nuk do madje të prishë as shtëpitë me qerpiç, për shkak të mendësisë. Vijohet më tej duke i njohur çdo meritë në ndërtimin e sheshit Skënderbej, Shtëpisë së Fashos (Casa di Fascio), stadiumit Qemal Stafa, Universitetit Politeknik, Akademisë së Arteve, ish-Vilës së Mbretit Zog, sot Pallati i Brigadave dhe u mor me planin rregullues të Vlorës, Korçës, Shkodrës, Elbasanit.
Historia iu referua 3 arkitektëve, por korpusi i veprave në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë ka kërkuar edhe ndihmën e një sërë arkitektësh, Morpurgo (i njohur për projektin e Bankës së Shqipërisë), Vale, vepra e të cilit njihet pak, Abruzini etj.
Artan Shkreli: Si e gjeti Brazini Shqipërinë
E keqja ishte se natyra e qytetit ekzistues, me rrjet rrugor të çrregullt, vijat e ujit mbi tokë, akse inekzistente dhe rrugica që thuajse gjithnjë përfundonin të verbëra, nuk lejonte ndërhyrje rregullarizuese pa shpronësime të mëdha dhe kosto financiare të rënda. Tirana e qerpiçit, siç e pa Brazini, nuk mund të konvertohej në një strukturë urbane të përshtatshme për jetën e nëpunësisë së re shqiptare dhe administratës së huaj që dora-dorës zinte vend në qytet me ambasada, vila, shoqëri. Ndërsa ana e mirë e këtij qyteti, të qetë e të lumtur në pikëpamje të mjedisit dhe peizazhit, por kaotik në atë infrastrukturor, ishte pikërisht se duke pasur kufizim në zgjedhje, krijonte mundësinë e kriji
