Dëmshpërblimi nga përmbytjet në Shkodër, qeveria i ngec faturën 1 miliard KESH-it
I shkreti KESH, nuk ka para për të blerë energji, është në krizë e kërkon rritje çmimi të shitjes së energjisë, por qeveria i bën një dhuratë, i plas në derë një faturë për përmbytjet në Shkodër. Sërish tallje me përmbytjen e Shkodrës.
Pas një viti, qeveria ka vendosur të miratojë faturën e dëmshpërblimit për përmbytjet në zonën e Shkodrës. Pas një ping- pongu sa nga njëra ministri në tjetrën, më në fund qeveria mori të martën një vendim dhe ia ngeci faturën prej 1 miliard lekësh KESH-it. E meqë KESH i ka aq në terezi hallet, i duhet të blejë energji, kërkon rritjen e çmimit, qeveria i dhuron edhe diçka tjetër për fund viti.
Gjeni më poshtë njoftimin e fundit të qeverisë:
1. Miratimin e vlerës së kompensimit të dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore e në biznese, nga reshjet e shiut dhe përmbytjet, në qarkun Shkodër, në shumën 1 112 303 342 (një miliard e njëqind e dymbëdhjetë milionë e treqind e tre mijë e treqind dyzet e dy) lekë.
2. Miratimin e listave të familjeve dhe subjekteve të biznesit të qarkut të Shkodrës, së bashku me shumën përkatëse të ndihmës për dëmet në kulturat bujqësore dhe në biznese, sipas listave të njësive të qeverisjes vendore, si më poshtë:
a) Lista e familjeve të qarkut të Shkodrës, me shumën përkatëse të ndihmës për dëmet në kultura bujqësore, për bashkinë Shkodër; komunat Bushat, Dajç, Velipojë, Bërdicë, Ana e Malit, Rrethina, Qendër Koplik, Gur i Zi, Kastrat, Gruemirë dhe të tjera, bashkëlidhur këtij vendimi.
b) Lista e subjekteve të biznesit të qarkut të Shkodrës, me shumën përkatëse të ndihmës për dëmet në biznese, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Fondi prej 1 112 303 342 (një miliard e njëqind e dymbëdhjetë milionë e treqind e tre mijë e treqind dyzet e dy) lekësh të përballohet nga shuma, në të njëjtën vlerë, që do të paguajë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), në buxhetin e shtetit, në një llogari të veçantë.
4. Kryerja e pagesave për personat përfitues të bëhet sipas procedurave që do të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm.