Tirana, vetëm me tre kandidatë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi dje kryetarin e Partisë Komuniste, Hysni Milloshi, si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e 8 majit.Në mbledhjen e djeshme, katër anëtarët e djathtë në KQZ votuan pro kërkesës së Partisë Komuniste që kryetari i saj të jetë përballë Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për Bashkinë më të madhe të vendit. KQZ bëri verifikimin e dokumentacionit të depozituar nga Partia Komuniste dhe verifikoi që kishte disa mangësi. Për këtë vendosi kthimin për plotësim. Brenda afatit të parashikuar, brenda tri ditëve, Partia Komuniste e ridepozitoi dokumentacionin e korrigjuar dhe rezulton se në këtë dokumentacion është kërkesa e partisë për regjistrimin e Hysni Milloshit si kandidat i Bashkisë së Tiranës, deklaratën e kandidatit, vërtetimin e Këshillit Bashkiak Tiranë dhe certifikatën e lindjes, që vërteton se zoti Milloshi është banor i bashkisë së Tiranës, u shpreh gjatë mbledhjes Dëshira Pasko, drejtoreshë juridike në KQZ.
Fundjavën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ti kthejë për plotësim dokumentacioni kërkesën Partisë Komuniste për kandidimin e Hysni Milloshit. Pas vendimit të djeshëm, përfundimisht do të jenë tre kandidatët për Bashkinë e kryeqytetit. Partia Komuniste nuk u përfshi në koalicionin Aleanca për të ardhmen, të drejtuar nga Partia Socialiste. Kreu i saj, Edi Rama, zgjodhi Partinë e Punës së Riorganizuar, të Marko Dajtit, për ta përfshirë në koalicion në vend të Hysni Milloshit. Në ditën e zyrtarizimit të koalicionit të djathtë, kreu i Partisë Komuniste, Milloshi, akuzoi në një prononcim për gazetën Panorama PS-në se i ka vjedhur vazhdimisht votat. PS me ne është sjellë në mënyrën më naziste, gjithmonë kemi marrë mbi 12 mijë vota, sepse na i ka vjedhur PS. Në këtë koalicion, Partia Komuniste do të dilte e treta ose e katërta. Ne nuk do të votojmë asnjë kandidat të PS. Të lutem shumë, për kë të votojmë? u shpreh Milloshi. Sipas tij, nuk kemi asnjë bashkëpunim me PS. Është absurde sepse pranohet në koalicionin e PS-së një parti që ka në përbërjen e saj ish-figura të larta të PPSH, ish-anëtarë të Byrosë Politike dhe nuk pranohet Partia Komuniste, që ska asnjë figurë të tillë. Përjashtimi nga koalicioni na bën nder, sepse nuk jemi në një bashkim partish ku nuk merret vesh kush është i majtë dhe kush është i djathtë.
Votat e PKSH në 2007
Vasil Kushi (PKSH)
1267 vota
Partia Komuniste
457 vota
Bordi i monitorimit, pa anëtarët e opozitës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka miratuar propozimet e përfaqësuesve të opozitës për anëtarë të bordit të monitorimit të medias. Dy anëtarë të përzgjedhur nga përfaqësuesit e opozitës janë emra të njohur, pedagogia e Gazetarisë Iris Luarasi dhe zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, gazetar në profesion, Florian Seriani, ndërsa emri i tretë nuk bëhet i njohur. Mosmiratimi i tyre nga KQZ-ja ka ardhur për shkak të mungesës së anëtarëve të opozitës në këtë institucion. Sipas Ristanit, duhet që dy anëtarë të KQZ-së të bëjnë kërkesë për ta mbledhur atë dhe për të miratuar emrat e opozitës për në bordin e monitorimit të medias. Maxhoranca në këtë institucion i ka propozuar dhe miratuar emrat e saj në këtë bord.
Gara për Bashkinë e Tiranës, sot miratohet fleta e votimit
Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja do të miratojë fletën e votimit për Bashkinë e Tiranës. Pasi ka miratuar tre kandidatët në garë, Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe Hysni Milloshin, Komisioni Zgjedhor ka gati fletën e votimit me renditjen e kandidatëve, e cila zakonisht bëhet sipas rendit alfabetik. Gjithashtu, në mbledhjen e sotme, KQZ-ja pritet të miratojë përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për Këshillin e Bashkisë Tiranë, për zgjedhjet e 8 majit. Miratimi i tyre do të bëhet vetëm nga anëtarët e shumicës, pasi përfaqësuesit e opozitës ende nuk janë rikthyer në mbledhjet e KQZ-së për shkak të kundërshtimit ndaj vendimeve të marra nga kryetari i KQZ-së. Listat e këshilltarëve, pas rregullimeve të fundit që iu bënë, për shkak të gabimeve drejtshkrimore, por dhe përqindjes së pjesëmarrjes së grave në to, janë miratuar dhe do të hidhen në fletën e votimit.
ADI SHKEMBI