E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana vijon krizën, mposhtet edhe nga Bylis 0-2

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu ka debutuar me humbje në stolin e bardhebluve.

Kryeqytetasit u mposhtën sot 0-2 në shtëpi nga Bylis, në Javën e 10-të të Superiores.

Miqtë fituan falë dy gabimeve në mbrojtjen e vendasve.

Në minutën e 10-të, ishte Dembele që humbi një top në afërsi të zonës, rast që u shfrytëzua nga Përgjoni, i cili e ndali topin në fundin e rrjetës, për t’i dhënë avantazhin skuadrës së Mirel Josës.

Rastin e parë të rrezikshëm Tirana e kishte në minutën e 34-t. Soler pasoi për Mensah në zonë, por gjuajtja e sulmuesit ishte për t’u harruar, pasi shkoi shumë larg portës.

Pjesa e dytë nisi e qetë dhe me raste të pakta në të dyja portat. Ndeshja u vulos në minutën e 70-të, kur Vera dhe Tafas nuk u kuptuan me njëri-tjetrin, duke shkaktuar autogol.

Kthimi i topit me kokë nga mbrojtësi, nuk u ndal dot nga portieri dhe shkoi në rrjetë. Me avantazhin 2-0, Bylis e kishte më të lehtë për të menaxhuar ndeshjen.

Me këtë fitore, Bylis ngjitet në kuotën e 12 pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa Tirana vazhdon krizën, pasi mban vendin e parafundit me vetëm gjashtë pikë.

Kjo është humbja e tretë radhazi për kryeqytetasit, të cilët renditen të parafundit me 6 pikë. Ndërsa ballshiotët e Bylisit renditen të 6-ët me 12 pikë.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›