Tirana zhyt në kaos Tomorin, fiton Teuta

Tomori-Tirana 0-1. Beratasit kontestojne golin e anuluar
Protesta për një gol të anuluar, por bardheblutë ia dalin. Durrsakët mundin Shkumbinin në transfertë, ruajnë kryesimin
Ndeshja mes bardhebluve dhe beratasve u zhvillua në “Roza Haxhiu” të Lushnjës, kjo për shkak të rikonstruksionit të stadiumit të Tomorit. Ndeshja nisi dhe përfundoi mes polemikave, që në momentin kur u përcaktua fusha se ku duhet të luhej, për të kaluar te një gol i anuluar Gersi Arbrit. Sakaq, shkëndija e parë në këtë takim erdhi në minutën e 7-të, kur Bala gjuan nga larg, por portieri Kuka largon rrezikun, duke shpërblyer kështu besimin e Memushit. Ky i fundit duke futur tiranasin, ka lënë në stol Llanin. Loja vazhdon dhe Tomori sposton komplet vëmendjen në mesfushë. Në minutën e 11-të, Karabeci, pas një topi të marrë nga Lika, gjuan në roveshatë, por Kuka grushton në goditje këndi. Beratasit mundohen të përfitojnë nga ndonjë gabim i ekipit mik për të rrezikuar portën e Likës, e kjo ndodh në minutën e 19-të. Çela në një goditje dënimi harkon në zonë për shtatshkurtrin Bakiu, që kërcen fort me kokë, e prek pak topin sa devijohet në drejtim të G.Arbrit, i cili i vetëm përballë Likës nuk gabon, gjuan dhe gol. Që të gjithë gëzojnë, por Alla anulon golin për një faull, në një kohë kur vijërojtësi nuk njofton një gjë të tillë. Nga Tomori ka protesta, mirëpo Alla bën me shenjë që loja të vazhdojë, duke e hedhur pas krahëve një rast të tillë, që do të diskutohet gjatë. Ky gol i anuluar u jep më tepër zemër djemve të Memushit, të cilët shohin më shumë nga porta e Tiranës. Për rrjedhojë, në minutën e 24-t Hodo tenton nga jashtë zonës, por pret Lika. E teksa loja ecën, Gilman Lika duket mjaft në formë. Ai lëviz mirë në të gjithë fushën, duke i hapur jo pak probleme mbrojtjes së Tomorit. Në të 32′ kemi një kombinim të një goditjeje këndi mes Likës e Karabecit. Ky i fundit pason sërish te Lika, që harkon në zonë. Dushku, i cili ndodhej aty, zhytet me kokë dhe gol, 0-1. Bardheblutë shpërthejnë në festë. Një gol që e rëndon edhe më shumë situatën në kampin beratas. Minutat vazhdojnë, por deri në përfundim të ndeshjes nuk ka ndryshim rezultati. Ndërkohë nuk gabon as Teuta e Durrësit, e cila ka marrë një fitore të rëndësishme në Peqin, duke ruajtur kreun e klasifikimit, teksa ka mposhtur skuadrën e Shkumbinit me golat e Mancakut dhe Shetës. Peqinasit pësojnë humbjen e parë në fushën e tyre dhe të dytën radhazi në kampionat, por duhet theksuar se dje peqinasit kanë qenë shumë larg formës së mirë që kishin treguar në takimet para-rendëse. Skuadra e Miles ka çaluar në mbrojtje dhe në mesfushë, ndërsa sulmuesi Dervishi i vetëm në repartin ofensiv e ka pasur mjaft të vështirë të çajë mbrojtjen durrsake. Ndërkaq, durrsakët e drejtuar nga Hasan Lika janë treguar mjaft racionale, teksa në pjesën e dytë kanë administruar më së miri rezultatin dhe janë kthyer në Durrës me pikë të plota. “Djemtë e detit” konfirmohen tashmë se janë pretendentë për titullin kampion. Skuadrat vinin me objektiva të ndryshme, por që të dyja synonin fitoren. Sakaq, durrsakët mbyllën takimin që në pjesën e parë, përderisa shënuan dy gola të shpejtë. Në fraksionin e dytë të lojës, i sapofuturi në fushë, Lluca shënon një gol të bukur, duke mposhtur Rizvanin me një parabolë të lartë, por ky gol nuk u mjaftoi vendësve që të dilnim me pikë nga ky takim.
Superiore/ Java 9
TË PREMTEN
Dinamo-Kastrioti 0-1
Shënues: J.Sefa 78′
Laçi-Kamza 1-0
Shënues: Zefi 36′
TË SHTUNËN
Apolonia-Vllaznia 1-4
Shënues: Gërxho
Bylisi-Pogradeci 1-0
Shënues: Shoshi
Skënderbeu-Flamurtari 2-1
Shënues: Shkëmbi 45′ (p), Allmuça 68′/ Shtubina 52′
DJE
Tomori-Tirana 0-1
Shënues: Dushku 33′
Shkumbini-Teuta 1-2
Shënues: Lluca 46′/ Mancaku 33′, Sheta 35′
Renditja
Teuta 22
Tirana 20
Kastrioti 18
Flamurtari 16
Laçi 15
Vllaznia 14
Skënderbeu 14
Kamza 13
Bylisi 11
Pogradeci 10
Shkumbini 9
Apolonia 8
Tomori 4
Dinamo -1
SHËNIM: Dinamo, minus tri pikë për shkak të dënimit nga FIFA për mos dhënien e rrogave të kroatit, Dario Bodrusiç.
LEONARD KARAJ