Salihi në stol, Bogdani Luan vetëm 12 minuta
Ekipet ku bëjnë pjesë legjionarët shqiptarë në Europë kanë mbyllur javët përkatëse me fitore, përveç skuadrës greke të Pas Janinës, ku luajnë mbrojtësi Andi Lila dhe mesfushori Emiljano Vila, si dhe ekipi gjerman i Bundesligës, Augsburgu i Edmond Kapllanit. Ish-kapiteni i Tiranës, Lila, ka qenë titullar duke luajtur përgjatë gjithë ndeshjes, teksa nuk i ka shpëtuar as kartonit të verdhë në sekondat e fundit të pjesës së parë. Ndërsa Vila nuk u aktivizua. Përballë Skoda Ksanthi ata u mundën në shtëpi 0-2. Ndërsa trajneri i Augsburgut, Jos Luhukai i besoi sulmin vetëm 18 minutat e fundit bomberit Edmond Kapllani, por përsëri nuk mundi dot t’i shpëtonte humbjes 1-2 ndaj Shtutgartit në transfertë. Surpriza më e madhe ka qenë mosaktivizimi i bomberit Hamdi Salihi te Rapidi i Vienës, të cilët fituan 4-2 kundër Salzburgut. Me këtë lënie në stol, duket se largimi i sulmuesit shqiptar nga kjo skuadër është vulosur përfundimisht, ndaj pritet merkato e janarit për zyrtarizmin e largimit. Ndërsa skuadra italiane e Çezenës arriti të fitonte 1-0 në transfertë ndaj Bolonjës, por autori i golit nuk ishte sulmuesi Erjon Bogdani, i cili u aktivizua përgjatë 12 minutave të fundit.
“Zviceranët”
Mesfushori Jahmir Hyka u aktivizuan në pjesën e dytë, teksa skuadra e tij e Lucernit fitoi 2-1 ndaj Grashopers. Ndërsa mbrojtësi shkodran, Klodian Semina dhe sulmuesi i U-21, Armando Sadiku, kanë qenë pjesë e formacionit bazë të Lokarnos, të cilët e mbyllën me fitore 2-1 në transfertë ndaj FC Vil 1900. Kurse mesfushori Enco Malindi nuk aktivizua për asnjë minutë nga trajneri Davide Morandi.