Tiranë, 27-vjeçarja grabit me armë 1 mijë euro

Nuk është një fenomen i dëgjuar, por kjo nuk do të thotë që nuk ndodh.
Jemi mësuar të dëgjojmë vetëm raste kur dhunuesit apo grabitësit janë të gjinisë mashkullore, por edhe rastet e anasjella nuk përbëjnë përjashtim.
Së fundmi në Tiranë, është shënuar rasti kur një vajzë, nën kërcënimin e armës ka grabitur një shtetas.
Ngjarja është shënuar në afërsi të zonës së Stacionit të Trenit në kryeqytet. Sipas policisë, 27-vjeçarja Përfundime Adilaj, banuese në Tiranë, ka grabitur nën kërcënimin e armës një shtetas, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga strukturat e policisë.
Lajmi është bërë i ditur nga strukturat e Policisë së Tiranës, sipas së cilës ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e ditës së hënë, rreth orës 21:30 minuta. Raporton BW.
Ndërkohë, policia bën me dije se 27-vjeçarja i ka grabitur shtetasit jo pak, por plot 1 mijë euro. Më pas, mësohet se pranë Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, shtetasi i dëmtuar ka depozituar një kallëzim, në të cilin ka deklaruar se mbrëmjen e së hënës, një femër e ka kërcënuar me armë dhe i ka marrë shumën prej një mijë eurosh.
Pas kallëzimit të depozituar pranë policisë, forcat blu kanë nisur punën për identifikimin e së resë. Aktualisht, efektivët e policisë kanë identifikuar agresoren dhe bëhet fjalë për 27-vjeçaren Përfundime Adilaj, e cila është shpallur në kërkim. Ndërkohë, për hetime të mëtejshme, materialet do t’i kalojnë organit të prokurorisë./Indeksonline/