Gjyqtari i EULEX-it “shpëton” gjyqtarët që pasuruan individë

Bratislav Trajkoviqi ka përfituar një hektar e 70 arë tokë falë një aktgjykimi të paligjshëm. Gjysmën e saj ia ka shitur një shqiptari për 448.000,00 euro.
Por autorja e këtij aktgjykimi, ish-gjyqtarja Olga Janiçijeviq, nuk do të ndiqet penalisht për këtë vendim, ani se për çështje të tilla që kanë të bëjnë me pronat shoqërore kompetente është Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme e jo gjykatat e rregullta.
Aktakuza kundër saj dhe disa kolegëve të tjerë të saj, përfshirë ish-eprorin Nuhi Uka, nuk është konfirmuar nga gjyqtari i EULEX-it, Vitor Pardal. Në tërësi e ka hedhur poshtë, pas disa seancave që janë mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Prizren, e cila tash është Gjykatë Themelore, shkruan "Koha Ditore".
Përfituesi i tokës, Trajkoviq, që është komandant i Stacionit Policor në Graçanicë, ka arritur që gjithë këtë sipërfaqe toke ta bartë në emrin e tij, duke e regjistruar edhe në kadastër. Polici i Kosovës është njëri prej përfituesve më të mëdhenj të shpronësimeve të tokave të ndërmarrjes KBI “Kosova Export”. /Indeksonline/