E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë: Gazetarët që kanë kaluar në politikë

Që kur Alfred Peza lajmëroi largimin nga gazetaria dhe futjen në politikë, në qendër të vëmendjes u rikthye fenomeni i këtij kalimi. Parimisht hendeku duhet të jetë i madh, por ja që ndodh të kalohet lehtësisht herë pas here. Një nga themeltarët e lëvizjes është me siguri Mitro Cela. Në fillim gazetar, më pas deputet i Partisë Demokratike e më pas sërish në armatën e njerëzve të shtypit.

Por pas tij kolegë që braktisën profesionin për politikën kanë pasuar shumë dhe kolegë që kanë mbetur ende në kthetrat e politikës, transmeton TCH.

Në periudhën kur nuk u zgjodh deputet Edi Paloka iu rikthye zanatit të vjetër duke drejtuar Agjensinë Telegrafike (ATSH), por joshja e Kuvendit ishte më e madhe dhe zgjedhja e Bamir Topit president e futi sërish në formacionin e të 140-ve.

Një nga opozitarët më aktivë kohët e fundit vjen pashmangshmërisht nga radhët e gazetarëve. Erion Braçe është padyshim deputeti që dallohet më shumë nga të gjithë për background-in e tij. Aktiv në shtyp, në rrjete sociale, denoncues dhe dokumentues. Drejtuesi i “Zërit të Popullit” ia doli të ishte dhe deputet dhe gazetar njëkohësisht, por opozitarizmi e ka larguar disi nga shtypshkronjat.

Analogu i Erion Braçes, jo për ngjashmëri në politikëbërje, por për të përbashkëtën e drejtimit të gazetës zyrtare të partisë respektive është Astrit Patozi. Nënkryetari i Partisë Demokratike ka drejtuar për shumë kohë Rilindjen Demokratike. Tashmë deputeti i njohur me siguri ka harruar si bëhet faqosja.

Edhe LSI ka në radhët e saj gazetar. Luan Rama, i cili më shumë mbahet mend për postet e mbajtura vitet e fundit, u katapultua në politikë pikërisht nga gazetaria.

Por ka dhe gazetarë të vjetër që janë të rinj në politikë. Një i tillë është pikërisht Mark Marku. Profesori i departamentit të gazetarisë në fakultet është një nga zërat e dallueshëm në grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

Posti i tij aktual nuk ka lidhje me profesionin e gazetarit. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është dashuria për duhanin dhe tymosja e dendur. Po flasim për ministrin e Transporteve, Sokol Olldashin. Mbase malli për të shkruar ka ndikuar në aktivitetin e tij të dendur në faqen zyrtare të Facebook, ku duket se u përgjigjet komentuesve të shumtë.

Alfred Dalipi e Silvi Bardhi janë gjithashtu ish-kolegë gazetarë e tashmë të inkuadruar plotësisht në politikë. Kuptohet që kahet janë diametralisht të kundërta për të sipërpërmendurit.

E ngarkuar për çështjet e integrimit të Shqipërisë është pikërisht një gazetare e njohur. Ministrja Majlinda Bregu i kishte provuar dhe më herët në jetën e saj prozhektorët dhe kamerat. Duket se profesioni i saj, përveç ndihmesës që ka dhënë deri tani në karrierën e saj politike, po e ndihmon edhe me detyrën e fundit që i është ngarkuar. Znj. Bregu është personi që koordinon çdo aspekt mediatik të fushatës që “de facto” ka filluar tashmë.

Dy emrat e fundit që po përmendim nuk janë në të njëjtën llogore politike, por dikur transheja e tyre ishte e përbashkët dhe shumë madje. Nikollë Lesi dhe Ben Blushi janë larg sot, por dikur punonin bashkë. Dy njohës të vjetër të gazetarisë mund të thuhet pa frikë që janë bërë dy veteranë të politikës tashmë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›