Tiranë/ Konflikt për ujin në pallat, 35-vjeçari plagos rëndë administratorin

Një 74-vjeçar është plagosur rëndë me mjete prerëse mëngjesin e sotëm në një pallat në rrugën “Aleksandri i Madh” në Tiranë.
I dëmtuari, F. G., administrator i pallatit, është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia e Komisariatit Nr. 6 ka arrestuar menjëherë pas ngjarjes autorin e dyshuar, K. L., 35 vjeç, banor i të njëjtit pallat.
Sipas veprimeve paraprake hetimore, 35-vjeçari dyshohet se ka plagosur rëndë administratorin pas një konflikti lidhur me linjën e ujit të pijshëm në pallat.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar si prova materiale një thikë dhe një motosharrë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.