Tiranë, gjykata jep 40 ditë burg për Paro Laçin

Pari Laçi
Gjykata ka dhënë masën 40 ditë arrest me burg për aksionarin e skuadrës së futbollit “Partizani”, Paro Laçi. Prokuroria ka kërkuar ekstradimin e biznesmenit Paro Laçi në Itali, pas arrestimit të tij në Tiranë me akuzën e trafikut të drogës në Itali.
Paro Laçi kërkohet në Itali për të vuajtur dënimin e dhënë ndaj tij në mungesë me dhjetë vjet heqje lirie. “Deri tani dosja ka vetëm një buletin të zakonshëm të Interpolit, se shtetasi Paro Berisiç, i identifikuar me emrin e vërtetë Paro Laçi, është dënuar me dhjetë vjet burg nga Gjykata e Apelit të Milanos”, kanë thënë burimet e Prokurorisë.
Sipas tyre, pasi vendimi ka marrë formë të prerë, biznesmeni shqiptar është shpallur në kërkim nga Interpoli. “Për shkak të rrezikshmërisë së veprës penale, faktit se personi është përsëritës, pasi është arrestuar edhe herë të tjera, si dhe kërkesës së palës italiane për ekstradim, i është kërkuar gjykatës caktimi i masës arrest me burg deri në kryerjen e ekstradimit”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, një procedurë e tillë sipas ligjit zgjat deri në 40 ditë dhe finalizohet me transferimin e të arrestuarit në vendin ku është dhënë dënimi.
Precedentët e Paro Laçit
Paro Laçi është ndaluar dhe arrestuar disa herë nga Policia shqiptare për akuza të ndryshme. Ai, në dhjetor 2011, është shpallur fajtor për akuzën e “korrupsionit”. Biznesmeni së bashku me disa persona të tjerë akuzoheshin nga prokuroria se kishin ndikuar në mënyrë të paligjshme në një proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit Shkodër për t’i dhënë pafajësi një të dënuari me 25 vjet burg nga Shkalla e Parë. Episodi tjetër për të cilin ishin të akuzuar disa prej tyre kishte të bënte me një leje minerare në Bulqizë. Sipas akuzës, Paro Laçi i kishte premtuar një biznesmeni se do të ndërhynte te ministri i Ekonomisë për t’ia mundësuar lejen minerare. Në vendimin e shpallur pak ditë më parë, gjykata vendosi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg dhe gjobë për të pandehurin Paro Laçi, që prej fillimit të nëntorit qëndronte në masën e sigurisë “arrest shtëpie”; nga 1 vit e dy muaj burg për të pandehurit Edmond Temali e Agron Arush; nga gjashtë muaj burg për të pandehurit Altin Xhura dhe Radvist Dima; nga 1 vit burg për të pandehurit Bledar e Dhurata Kumen, si edhe dhjetë muaj burg për të pandehurin Agron Laçi.