E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, nis regjistrimi i fëmijëve në kopshte dhe çerdhe

TIRANE- Nis regjistrimi i fëmijëve në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës, i cili pritet të zgjasë deri më datën 10 shtator. Inspektorët pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë do të kryejnë të gjitha procedurat në bazë të dokumentacionit. Konkretisht për regjistrimin e fëmijëve duhet vërtetimi i vaksinave të fëmijës, certifikatë personale me foto dhe mandat pagese. 

Fillimi i punës për rikonstruksionin e disa kopshteve dhe çerdheve sipas specialistëve do të sjellë mbingarkesë tek të tjerat, por të gjithë fëmijëve do t'ju ofrohet shërbim. Prioritet do të ketë edhe për fëmijët e emigrantëve të cilëve do t'ju krijohen lehtësira në procedurat e regjistrimit. Vitin e kaluar që në ditën e parë të regjistrimeve u vu re një fluks i lartë i numrit të prindërve që kërkonin të regjistronin fëmijët e tyre në kopshte e çerdhe. 

Për shkak të mbipopullimit Drejtoria Arsimore Tiranë gjeti një zgjidhje që fëmijët e moshës 5 vjeç t'i sistemonte në klasat parashkollore në shkollat 9- vjeçare, për t'u bërë gati për në klasën e parë, pasi kapaciteti normal i një kopshti shkon nga 130-140 fëmijë, ndërsa një grup duhet të ketë nga 30 deri në 35 fëmijë. Shtimi i kërkesave të prindërve për të regjistruar fëmijët në çerdhet publike ka bërë që në Qendrën Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve në varësi të Bashkisë së Tiranës, në listat e pritjes të regjistrohen mbi 100 fëmijë vetëm për një çerdhe. 
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›