Tiranë, prezantohet Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik

Në Tiranë është prezantuare Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA Tirana).
Ajo është një hapësirë e jashtëzakonshme për bizneset e huaja, që duan të vendosen në Tiranë.
TEDA Tirana është fryt i një bashkëpunimi të shkëlqyer mes Qeverisë dhe Bashkisë, tha ndër të tjera kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Vitin e kaluar Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA) në Tiranë.
Ajo shtrihet në një sipërfaqe 35 hektarë pranë Kasharit.
Projekti synon tërheqjen e industrisë prodhuese si asaj të automobilëve, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pajisjeve elektronike, farmaceutike, agropërpunuese si dhe industrive të tjera që operojnë me standard ndërkombëtare.
Projekti i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike në vitin 2020, dhe tashmë edhe nga Këshilli i Ministrave, parashikon se periudha e funksionimit të “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, të jetë 35 vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet.
Vlera e investimit të projektit me potencial strategjik “TEDA Kashar” parashikohet të jetë rreth 100 milionë euro.
“Bëhet fjalë për të transferuar në Tiranë data-centerin më të madh të të gjithë Ballkanit dhe për të kaluar nga fasonët dhe call center në data center, për punë që paguajnë më shumë, me inxhinierë të teknologjisë së informacionit, dizanjer softuerësh, që mirëmbajnë rrjete, me rroga të barabarta me ato në perëndim, që mund të kthehen në spiranca për kompani të tjera”, deklaroi zoti Veliaj.
Shumë kompani nga Izraeli janë shprehur se, nëse hyn kjo data center në Shqipëri, edhe 87 kompani që i kanë lidhur bizneset me këtë data center, janë gati të transferohen aty.
Bëhet fjalë për të krijuar një treg pune për 5-7 mijë persona të mirëpaguar.
Në prezantimin e Zonës se Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik të Tiranës, ministrja e Ekonomisë dhe financiave, Delina Ibrahimaj tha se qeveria do të kalojë së shpejti një ligj për nomadët digjitalë, me synim afrimin edhe më shumë të kompanive në Shqipëri.
“Shumë shpejt do të kalojmë në Parlament disa ndryshime për ligjin e start up-eve innovative, që njohin përcaktimin e nomadëve digjitalë dhe funksionimin e nomadëve digjitalë për një periudhë 12 mujore, pa qenë e nevojshme që ata të jenë rezidentë tatimorë shqiptarë” tha zonja Ibrahimaj.
“Të gjitha këto nisma që ka ndërmarrë qeveria, i ka marrë me synimin për t’u bërë një treg konkurrues dhe tërheqës për shqiptarët që duan të investojnë në inovacion, por edhe për të huajt; për të tërhequr investimet e huaja direkte. Përmes projektit që po lancohet sot ne do të shkojmë një shkallë më afër synimit tonë të përgjithshëm” tha ministrja Ibrahimaj.
Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliajt në 8 vitet e fundit në kryeqytet janë shtuar 166.600 vende të reja pune, ndërsa ai gjeneron gjysmën e të ardhurave të ekonomisë së vendit.
/rtsh.al/