Shqipëri-Itali, marrëveshje për energjinë, Balluku: Përmirësojmë rrjetin energjitik në Shkodër, Lezhë dhe Fushë-Krujë

Marrëveshja Shqipëri-Itali për një hua prej 35 milion euro e cila do të përdoret për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes është nënshkruar mes ministres së Energjisë, Belinda Balluku dhe zv.ministri i jashtëm italian, Edmondo Cirielli.
Ministrja bëri me dije se kjo hua do të bëjë të mundur përmirësimin e nënstacioneve ekzistuese, sistemin Scada dhe rrjetin e tensionit të mesëm, në zonat Shkodër, Lezhë dhe Fushë-Krujës.
“Kjo marrëveshje konsiston në përmirësimin e sistemit të shpërndarjes, konkretisht në zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Fushë-Krujës, me fokus kryesor përmirësimin e nënstacioneve ekzistuese, sistemin Scada dhe rrjetin e tensionit të mesëm, duke i ofruar kështu mundësi agjencive shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, por edhe atyre private që të ofrojnë një shërbim cilësor në furnizimin e energjisë elektrike”, tha Balluku.
Ndërkohë që zv.ministri italian, në fjalën e tij theksoi se marrëveshje të tilla ndihmojnë vendin tonë në përmirësimin e mëtejshëm në rrugën drejt Integrimit Europian.
Në vitin 2013 humbje teknike ka qenë mbi 45% ndërsa sot humbjet në rrjet janë ulur përmes investimeve në 19.7%.
/rtsh/