Titulli i mirënjohjes për albanologen Margaret Hazllyk
Me rastin e 125-vjetorit të lindjes së albanologes, etnologes dhe studiueses angleze, Margaret Hazllyk, janë mbledhur në një ceremoni në qytetin e Elbasanit krerët lokalë, dhjetëra qytetarë dhe ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mcllwham. Veprimtaria për nder të albanologes së shquar, Hazllyk, është organizuar pikërisht në atë shtëpi elbasanase, ku rreth 70 vjet më parë “anglezka”, siç e thërrasin edhe sot banorët e Elbasanit, do të niste veprimtarinë e saj. Hazllyk u vendos në Elbasan në vitin 1916 dhe qëndroi atje për 13 vjet me radhë, deri ditën kur Italia fashiste zbarkoi në Durrës. Në vitin 1939, studiuesja angleze u largua për në Kajro. E miqësuar me Lef Nosin, Margaret Hazllyk jo vetëm që do të shëtiste në shumë treva shqiptare, por do të jepte edhe ndihmesën e saj në shumë çështje shqiptare të kohës. Në shenjë vlerësimi për figurën e kohës, Hazllyk i shkroi edhe Enver Hoxhës, për të falur jetën e Nosit, pavarësisht se udhëheqësi i asaj kohe nuk e mori parasysh lutjen e saj. Sot shtëpia e veprimtares së njohur angleze është shndërruar në një jetimore me emrin “Shtëpia e Shpresës”. “Jam shumë krenare që jam sot këtu, në 125-vjetorin e lindjes së bashkatdhetares sime Hazllyk. Madje jam shumë e kënaqur për ceremoninë dhe nderin që po i kushton Elbasani kësaj figure”, tha dje ambasadorja britanike. Ndërkohë, kreu i bashkisë u ka dhuruar të afërmve të familjes Hazllyk titullin më të lartë, “Mirënjohje e qytetit” për Margaret Hazllyk dhe simbolin e qytetit si dhuratë për ambasadoren britanike. Për nder të Hazllyk dhe të të pranishmëve, fëmijët e “Shtëpisë së Shpresës” prezantuan edhe një koncert modest artistik.
#