Konica dhe Zogu, të gjallë përmes zërit
Vetëm pak ditë më parë, albanologu Robert Elsie ka hedhur dy incizime të rralla në sitin e tij të internetit, në seksionin albanianlanguage.net. Bëhet fjalë për zërin e Faik Konicës dhe Mbretit Ahmet Zogu. Deri më tani pjesë e arkivave, incizimet zanore që besohet të jenë kopje unike për të dy personalitetet, tashmë mund të dëgjohen nga të gjithë. Regjistrimi i Faik Konicës është një intervistë e shkurtër në anglisht me agjencinë amerikane “National Broadcasting Company” (NBC) në vitin 1939, gjatë së cilës Faik beu, i caktuar nga Ahmet Zogu ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shprehu mendimin e tij për pushtimin e vendit nga Italia fashiste në prill të atij viti. Dëgjohet së pari zëri i gazetarit që e pyet Konicën nëse kishte ndonjë mesazh rreth situatës që po ndodhte në vendin e tij dhe Konica që përgjigjet në një anglishte të kuptueshme. “Unë s’kam ndonjë mesazh, nuk dua ta dramatizoj situatën, pasi ajo flet vetë. Dua t’ju falënderoj ju dhe ‘National Broadcasting Company’ për shansin që na dha për të folur. Mes shqiptarëve dhe Amerikës ekzistojnë ndjenja të forta. Ne nuk mund të harrojmë misionin e Kryqit të Kuq pas lufte dhe personelin që kanë lënë në vendin tonë që ndikoi në themelimin e Kryqit tonë të Kuq. Lëvizja për çlirimin e Shqipërisë është inspiruar nga idealet amerikane dhe kujtimi i së shkuarës sonë. Kemi refugjatë shqiptarë në SHBA, të cilët kanë forcuar lëvizjen e tyre. Siç theksoi sot dhe Sekretari amerikan i Shtetit, pushtimi i vendit tim ishte një shkelje e të drejtave që çdo popull ka në botë: dëshirën për paqe”, përfundon Konica. “Një kopje e këtij incizimi ruhet në arkivin e shërbimit shqip të ‘Zërit të Amerikës’ (VOA) në Uashington”, sqaron Elsie. Incizimi tjetër është po aq interesant. “Ka shumë mundësi që ky dokument zanor, mbase rreth vitit 1938, të jetë i vetmi incizim i zërit të Zogut. Origjinali gjendet në arkivin e Princit Leka, të cilit i jemi mirënjohës për mundësinë e shfrytëzimit”, thotë albanologu. Në incizim, Mbreti flet para ushtarëve të tij. Dëgjohet toni i tij prej ushtaraku, brohoritjet e ushtarëve dhe një pjesë e vogël himni. “Jam veçanërisht i lumtun të konstatoj, të vështroj me sytë e mi hapat e forta që ushtria shqiptare ban kundrejt disiplinës edhe kundrejt përparimit. Rroftë ushtria armate, rroftë fuqia armate e kombit shqiptar”. Pas tij dëgjohen brohoritjet e ushtarëve: “Rroftë, rroftë! Rroftë Mbreti! Rroftë Mbreti”! Këto dy incizime që albanologu Robert Elsie i ka vënë në dispozicion të të gjithë atyre që kanë interes apo janë kuriozë të dëgjojnë zërin e Faik Konicës dhe Ahmet Zogut, dy personazhe mjaft të diskutuar historikë, i ka shoqëruar edhe me një biografi të zgjeruar në shqip dhe anglisht. Incizimet zanore të Konicës dhe Zogut nuk janë të vetmet që Robert Elsie ka siguruar dhe i ka ofruar për përdorim online. Në po të njëjtën faqe, në vitin 2008 Elsie hodhi tri incizimet e para që mund të dëgjohen edhe sot. Bëhet fjalë për një incizim të hershëm realizuar nga albanologu Norbert Jokli, i cilësuar si "incizimi i parë i shqipes së Ballkanit". Incizimi i mirëfilltë mbi një pllakë të vjetër dylli ruhet në Arkivin Fonogramik të Akademisë së Shkencave në Vjenë. Incizimi tjetër i vitit 1937 është me zërin e Gjergj Fishtës, ndërsa reciton dy prej këngëve të "Lahutës së Malcisë", përkatësisht Kanga 5 nga strofa 391 deri në strofën 465 dhe Kanga 13 nga strofa 1 deri në strofën 77 dhe incizimi i tretë është një fjalim që Fan Noli ka mbajtur në Boston, në vitin 1962, para shoqërisë shqiptaro-amerikane "Vatra". Robert Elsie e pasuron herë pas here faqen e tij zyrtare me dokumente të hershme që kanë të bëjnë me historinë, letërsinë dhe gjuhën shqipe.
#