E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titulli për Hekuran Dedën, tërhiqet prefekti: Do e rishoh

Gjatë homazheve për të vrarin e 21 janarit, Hekuran Deda

DIBER/ Genc Sharku: Komuna Kala e Dodës ma solli me vonesë vendimin.

Prefekti i Dibrës deklaroi dje se do ta rishohë çështjen mbi titullin për viktimën e 21 janarit, Hekuran Deda. Dy ditë më parë, Genc Sharku tha për Panorama se vendimi është marrë në kundërshtim me ligjin, se Këshilli i Komunës nuk është mbledhur dhe se ka shkelje të procedurave. Ndërsa dje, prefekti u shpreh se vendimi i Këshillit të Komunës Kala e Dodës ka ardhur me vonesë në prefekturë dhe se ai do ta rishohë procedurën e ndjekur. Reagime ka pasur dje edhe nga këshilltarët e komunës Kala e Dodës. Ata janë shprehur se prefekti gabon rëndë që merret me të ndjerin Hekuran Deda. Atë ne e kemi shpallur Qytetar Nderi (pas vdekjes), sepse është vrarë padrejtësisht në protestën e opozitës para Kryeministrisë. Kemi bërë gabim që ia bëmë të njohur këtë vendim zotit Sharku. Ligji na jep të drejtë që vendimet me karakter individual nuk dërgohen në prefekturë dhe hyjnë në fuqi menjëherë sa merren. Prefekti ta harrojë se mund ti heqë këtë titull Hekuran Dedës. Edhe po të kishte Sharku fuqi ligjore ka kthente këtë vendim, ne përsëri do ta kishim votuar propozimin e banorëve të zonës dhe të afërmve të Hekuran Dedës, deklaruan këshi-lltarë të Kalasë. Një zyrtar i Prefekturës Dibër, i cili kërkon të mos identifikohet, tha se vendimi është marrë nga Këshilli i Komunës Kala e Dodës më 6 janar të këtij viti, me votat unanime të të gjithë këshilltarëve, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike. Kryekomunari i Kalasë së Dodës, Bajram Himallari, rideklaron se vendimi është marrë konform ligjit dhe se kjo ka qenë edhe dëshira e banorëve të komunës. Pritet që sot të jepet një tjetër deklaratë në lidhje me këtë çështje, e cila doli në pah pas një muaji e gjysmë nga vendimi i marrë në Këshillin Komunal të Kalasë së Dodës. Megjithatë, edhe pse komuna pohon se nga ana ligjore ky vendim nuk ka nevojë për aprovimin ligjor të prefektit, nuk dihet pse ka ndërmarrë hapin për ta kaluar në zyrën e Sharkut këtë çështje. Sipas tyre, kjo ndodh kur vendimi është me karakter individual. Ndërkohë që në nëntorin e shkuar i njëjti vendim u mor për Presidentin Topi, i cili u shpall Qytetar Nderi nga ana e Bashkisë së Matit.

Rama: Barbari, heqja e titullit Qytetar Nderi për Hekuran Dedën
Kreu i PS, Edi Rama, e konsideroi dje si barbari përpjekjen e prefektit të Dibrës për ti hequr titullin Qytetar Nderi Hekuran Dedës, njërit nga katër të vrarët e 21 janarit. Ndaj familjes Deda, Kryeministri ka detyrimin të shpjegohet para drejtësisë edhe për sekserin që çoi në mesnatë për të blerë me lekë një vizitë tek ata, shkruan sot Rama në profilin e tij në Twitter. Iniciativa për ti hequr titullin Qytetar Nderi të vrarit më 21 janar 2011, është bërë publike sot në median e shkruar. Prefekti i qarkut Dibër, Genci Sharku, e pranon se nuk e ka konfirmuar vendimin e Këshillit të Komunës Kala e Dodës për shpalljen Qytetar Nderi të Hekuran Dedës, por mohon që ky vendim i tij ka prapavijë politike. Sipas Sharkut, vendimi i Këshillit të Komunës nuk është marrë brenda rregullave dhe se anëtarët e Këshillit nuk janë mbledhur në një mbledhje normale, por vendimi është marrë me firmat e këshilltarëve.

DIBER/ HASAN PASHA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›