Tjetër tragjedi në brigjet italiane, mbyten 6 emigrantë
Një tjetër tragjedi është regjistruar në brigjet e jugut te Italisë, ku ditën e sotme janë gjetur trupat e pajetë të gjashtë emigrantëve që vinin nga vendet afrikane dhe ato arabe tashmë në konflikte ushtarake.
Gjatë një zbarkimi në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Katania, gjashtë prej tyre kanë humbur jetën pasi nuk dinin të notonin, bën të ditur agjencia e lajmeve italiane “ANSA”. viktimat ishin të gjithë të rinj nën moshën 30 vjeç, mes tyre është edhe një minoren, një djalë mes 13 dhe 15 vjeç
Trupat e tyre janë vendosur në thasë plastikë dhe janë transferuar për në morgun e spitalit, ndërkohë që prokuroria e Katanias ka kërkuar mbikëqyrjen e kufomave.
Nga hetimet e para të policisë ka rezultuar se ata janë mbytur në tentativë për të arritur bregun, pasi varka me të cilën po udhëtonin u mbyt kur ndodhej rreth 15 metra larg.
Klandestinët, të cilët nuk dinin not, kanë përfunduar në një kanal të thellë disa metra dhe nuk kanë mundur të reagojnë. Ata ishin pjesë e një grupi prej 120 emigrantësh që ndodheshin në bordin e një anijeje peshkimi.
Mes tyre kishte edhe gra e fëmijë shumë të vegjël, të cilët u shpëtuan nga forcat e rendit dhe roja bregdetare, që i ka transferuar në një qendër kujdesi shëndetësor.
Ndërkaq në birgjet e qytetit tjetër siçilian të Sirakuzës kanë zbarkuar rreth 40 emigrantë të tjerë, të gjithë shtetas sirianë, mes të cilëve gra dhe fëmijë.