E Shtunë, 31 Tetor 2026

Todoriç:Ka opsione që rrisin autonominë e serbëve

Mesazhet e kancelares gjermane Angela Merkeli dhe të zyrtarëve të tjerë evropianë flasin për vazhdimin e dialogut, duke përjashtuar nga tryeza e bisedimeve ndarjen e veriut të Kosovës. Mirëpo, në prapavijë këto mesazhe lënë të kuptojnë se ka opsione të tjera mbi tavolinë, si shtimi i planit të Ahtisaarit, ka thënë Vladimir Todoriç, drejtor i Qendrës për Politika të Reja në Beograd.

Nëse ka një gatishmëri në Beograd për të nisur bisedime mbi një “Ahtisaari plus”, atëherë për Todoricin vizita e kancelares Merkel në Beograd do të ishte një vizitë e rëndësishme .

“Asgjë nuk është teknike, gjithçka është politike. Nuk mund të zgjidhen problemet e vogla pa i zgjidhur ato më të mëdha, e që në fakt janë raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, ose njohja apo normalizimi i marrëdhënieve politike”, ka thënë ai në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”.

Prishtina ka kundërshtuar çfarëdo opsioni që do të mund të çonte në ndarjen e veriut por Todoric thotë se qëndrimet e Beogradit apo të Prishtinës nuk kanë rëndësi domethënëse, sepse bashkësia ndërkombëtare ka rolin kryesor në këtë veprim.

“Prishtina është e pavarur nga Serbia, por nuk është e pavarur nga anëtarë të tjerë shumë më të rëndësishëm të bashkësisë ndërkombëtare. Ato do të jenë autoritetet përgjegjëse në periudhën e ardhshme”.

Sipas tij, pas vizitës kancelares Merkel mund të tregoj se çfarë pritet nga Beogradi në çështjet që kanë të bëjnë me doganat, vulat e gjyqësinë në veri, ristrukturimin e policisë etj.

“Por nuk mendoj se dialogu është mjeti i duhur për të zgjidhur çështje të tilla” ka shtuar Todoriç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›