“Toka në shkolla”, Manastirliu: Aftësi praktike dhe dashuri për mjedisin

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Në shkollat e vendit vijon programi “Toka në shkolla”, i cili mbështet zhvillimin e aftësive të nxënësve për kultivimin e kulturave bujqësore.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vizitoi nga afër shkollën “Gjergj Fishta” në kryeqytet, ku së bashku me nxënësit mbollën perime, fruta dhe lule.
“Sezoni i mbjelljeve ka vijuar në serat dhe kopshtet e shkollave tona ku përmes programit “Toka në Shkollë”, nxënësit kultivojnë perime, zarzavate, pemëtari dhe lule të ndryshme duke zhvilluar aftësi praktike dhe dashurinë për mjedisin”, tha Manastirliu.
Nxënësit u shprehën se perimet pasi i vjelin i dërgojnë për njerëzit në nevojë ose komunitetit.
“Jo vetëm kemi mësua si të punojmë tokën, por na ka ndihmuar të bëjmë edhe eksperiment në orën e biologjisë”, tha një nxënëse.
“Toka në Shkollë” është një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e shtrirë në shkolla në mbarë vendin, ku nxënësit jo vetëm zhvillojnë aftësi praktike, por edhe ndërgjegjësohen për rëndësinë e mjedisit dhe ushqyerjes së shëndetshme.
Gjithashtu ky program synon të zhvillojnë aftësitë praktike për kultivimin, me synim lidhjen e fëmijëve dhe të rinjve me natyrën dhe traditat, si një mjet për edukimin mjedisor dhe jo vetëm.
/k.s//a.f/