Tolajt 18 muaj burg, Bukoshi i pafajshëm

(E plotësuar) Një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe vendas në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i ka shpallur fajtor tre persona në të ashtuquajturin rasti i Ministrisë së Shëndetësisë.
Ilir Tolaj u shpall fajtor për veprën penale të nxitjes së falsifikimit të dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje dhe për shmangie të tatimit. Ai u lirua nga akuzat e tjera. Tolaj u dënua me një dënim të përgjithshëm prej 18 muajsh dhe gjobë prej 1000 euro. Atij i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 3 vjet. Arresti shtëpiak i Ilir Tolajt ka përfunduar ndërsa pritet nxjerrja e një vendimi të ri.
Arbenita Pajaziti u shpallur fajtore për dy pika të aktakuzës për falsifikimin e dokumenteve, njërën prej tyre në bashkëkryerje. Pajaziti u dënua me një dënim të përgjithshëm prej 8 muajsh me kusht për një periudhë prej 2 vjet. Asaj i ndalohet ushtrimi i funksioneve në në administratën publike apo shërbimin publik për 2 vjet.
Hajrullah Fejza u shpall fajtor për dy pika të aktakuzës për marrje të mitos ndërsa është liruar nga pikat e tjera të akuzës. Fejza ka marrë një dënim të përgjithshëm me burgim prej 8 muajsh. Të pandehurit i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 3 vjet.
Bujar Bukoshi, Ismet Hyseni, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha janë liruar nga të gjitha akuzat.
Rasti ishte ndjekur penalisht nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK)./Indeksonline/
-----
Edhe një proces gjyqësor që ka lidhje me korrupsion po e merr epilogun. Aktvendimi në rastin “Tolaj dhe tjerët” do të shpallet sotparadite. EULEX-i konfirmon se një trup gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës do ta shpallë aktgjykimin për këtë rast. “Të martën do të merret aktgjykimi”, tha për “Tribunën”, zëdhënësi Blerim Krasniqi.
Edhe avokati i kompanisë farmaceutike “Jona Med” që në këtë rast është palë e dëmtuar konfirmon për shpalljen e verdiktit përfundimtar. Arianit Koci, avokat i “Jona Med” shpreson se vendimi do të jetë në favor të klientit të tij.
Në këtë proces gjyqësor në bankën e të akuzuarve janë ish-zv/kryeministri i Kosovës Bujar Bukoshi, ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Nexhat Shabani, Ismet Hyseni, Hajrullah Fejza, Zenel Kuçi, Bekim Fusha, Alban Thaçi dhe Imer Ajeti, të gjithë ish-zyrtarë të Ministrisë./Indeksonline/