E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kërcënimi me vdekje” dëshmi për të fituar azilin

Xhavit Hamdiu përmendet si kërcënues me vrasje i Agron Lahut në një deklaratë, e cila është provuar të legalizohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, por ai mohon se e njeh “viktimën”.

Xhaviti, nga Talinoci i Ferizajt ndërtimtar me zanat, thotë se nuk e njeh fare Agron Lahun nga Prishtina, e aq më pak ta ketë cenuar atë.

“Kurrë nuk kam ni për të. Jo. Nuk e njoh as nuk po e di prej kah koka”, ka thënë ai duke mohuar të ketë shkuar ndonjëherë edhe në qendrën e kontrollimit teknik të automjeteve “Eko-Tek Prishtina” në Prishtinë ku përmendet se është kryer kërcënimi.

Emri, emri i të atit, mbiemri dhe vendbanimi i Xhavit Hamdiut figuron me një deklaratë- dëshmi me përmbajtje kanunore. Ajo është nënshkruar nga “viktima” Agron Lahu dhe nga juristi Maliq Lushaku. Është vulosur nga nëpunësi për vërtetime në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Gazmend Sopjani. Pas kësaj i është dërguar kryetarit të Gjykatës, Hamdmi Ibrahimi, për ta nënshkruar vulën apostile. Me ta parë përmbajtjen, ai ka bërë një kallëzim penal dhe ia ka dërguar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka për ndjekje të rastit.

Deklaratë- dëshmia e datës 14 mars 2013, shkruan se Agron Lahu është “mbyllur në shtëpi dhe nuk ka besë” për të dalë nda Xhavit Hamdiu. Kjo e ka detyruar atë që ta lërë punën dhe të mbyllet në shtëpi për shkak të rrezikut, mirëpo nuk e ka paraqitur rastin në Polici.

“Ne qytetarët e poshtëshënuar Agron Lahu dhe Maliq Lushaku, me përgjegjësi të plotë morale, materiale dhe penale, deklarojmë dhe njëherësh vërtetojmë se Agron Lahu nga Prishtina i lindur më 28.12.1975 është në marrëdhënie të keqësuara me qytetarin e Kosovës Xhavit Xhemajl Hamdiu nga fshati Talinoc, Komuna e Ferizajt dhe për këtë mosmarrëveshje- konflikt në vendin e punës”, nis kjo deklaratë.

Sipas dëshmisë, Agron Lahu drejtpërsëdrejti është kërcënuar me vdekje dhe si pasojë e konfliktit është dashur që të rrijë i mbyllur në shtëpi që nga ajo ditë, shkruan Koha Ditore./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›