E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tomas Man dhe forca e parashikimit te Letersise mbi natyren e diktatures

Letërsia e mirë ka fuqinë që çdo vend dhe personazh të huaj fiktiv ta përkojë me vende me personazhe realë. Rëndësi ka që lexuesi t’i ketë sytë hapur për ta kapur këtë kod shenjash. E kësaj natyre ka qenë marrëdhënia me letërsinë e huaj sa kohë Shqipëria ishte e izoluar. Nëpër këtë rrjetë penguese, sado që jo me vepra të plota, kanë hyrë pa u prekur autorë botërorë. Botimi i dy novelave të Tomas Manit (1875-1955) të përkthyera nga Piro Misha, të ribotuara së fundi, e patën atë fat edhe ngaqë hynin bashkë me proza të tjera të shekullit të njëzetë.

Nga Tomas Man deri atëherë ishte botuar në shqip saga epike e rinisë “Budenbrokët” (1901). “Tristani” është e kësaj periudhe, e vitit 1903, por atmosfera është ajo e sanatoriumit të “Malit Magjik” (1924), kryevepra e Manit që lexuesit shqiptar i erdhi vetëm në vitin 2010.
“Mario dhe magjistari” merr rëndësi sepse fashizmi dhe nazizmi ishte tashmë në skenë përballë njerëzve symbyllur.

E vendosur në Itali në vitin 1929 “Mario dhe magjistari” ka figurë qendrore Kavalier Çipolën, magjistarin sharlatan që përdor fuqinë e cirkut mbi trupat dhe mendjet e publikut, që ia paralizon atij aftësinë për të vendosur duke e privuar nga vullneti. Është një referencë për Benito Musolinin, ylli fashist i të cilit kishte kapur zenitin, ndërsa yllit të nazizmit në atdheun Manit do t’i duheshin edhe pak vjet.

Idetë politike Mani i hodhi publikisht por jashtë letërsisë. Në një numër esesh ai del kundër nacional-socializmit, sulmon nazizmin. Dhe kur Hitleri vjen në pushtet, kur pranverën e vitit 1933 nazistët djegin publikisht veprat e kritikuesve të tyre, ndër ta libra të dy autorëve nga dinastia Man, pa u prekur Tomas Man, që pak vjet pëpara kishte fituar Nobelin për Letërsinë, ai vendos të mos kthehet më në atdhe dhe mbeti shkrimtar në ekzil deri në fund të jetës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›