Tonin Alia: Në politikë kam hyrë për të dhënë, jo për të marrë
Intervistë me Tonin Alia, kandidat për deputet i Partisë Demokristiane në Tiranë
Nga Dukagjin Hata
Tonin Alia është një politikan i ri që konkurron në koalicionin e djathtë, në emër të Partisë Demokristiane Shqiptare, si nr. 2 për Tiranën. Me origjinë nga Kryeziu i Pukës, bir i një familje të madhe historike, me kontribute atdhetare, Tonini është një biznesmen i suksesshëm që tash njëzet vjet drejton kompaninë më të madhe të përpunimit të drurit në Shqipëri dhe në gjithë botën shqiptare, kompaninë Ardeno. Për shkak të kontributit të të parëve të tij në pajtimin e gjaqeve dhe promovimin e vlerave të Malësisë, në vitin 1996, familjes së Tonin Alisë Papa Gjon Pali II e ka dhënë Bekimin Apostolik. Inteligjent, paqësor, kërkues ndaj vetes para se të jetë ndaj një tjerëve, ai apelon për një politikë ndryshe, larg gjuhës së forcës, denigrimit dhe përjashtimit, në përputhje me frymën njerëzore, politike dhe atdhetare të demokristianizmit.
Zoti Alia, ju jeni një emër i ri në politikën shqiptare, që jeni thirrur për të garuar si kandidat për deputet në Kuvendin e ri të Shqipërisë, që do të dalë pas 23 qershorit, nën siglën e Partisë Demokristiane. Si e gjykoni zhvillimin e fushatës elektorale deri në këto momente?
Sipari i fushatës për zgjedhjet e reja parlamentare është në pikun e vet, në kurbën më të lartë të përballjeve, sfidave dhe emocioneve që burojnë prej tyre. Tashmë janë hedhur në frontin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit dy aleanca të mëdha të cilat, pas debateve të shumta, ndërtuan listat e përfaqësuesve të vet, me të cilët ato do tu kërkojnë shqiptarëve votën e tyre, për të ndërtuar pas fundqershorit që kemi përpara një parlament të ri dhe një qeveri të re. Kuvendi i ri i Shqipërisë do të ketë një tjetër fytyrë, një frymëmarrje e re do të ndihet aty e njëherazi salla e Parlamentit të ri do të çlirohet nga një ngërç i cili ka ricikluar në vazhdimësi kriza, duke e mbajtur Shqipërinë aq gjatë në udhëkryqin e tranzicionit. Tani të kthehem tek thelbi i pyetjes suaj. Megjithë disa tone jo shumë paqësorë të përdorur tek tuk në ndonjë tribunë partiake, si dhe disa incidenteve që nuk duhet kurrsesi të kishin ndodhur, kjo fushatë në përgjithësi mund të karakterizohet si më e moderuar se të gjitha fushatat e tjera elektorale të deritanishme. Klasa politike shqiptare është pjekur në këto njëzet e tre vjet dhe lidershipet duket se e kanë kuptuar, më në fund, se nuk shkohet në Europën e Bashkuar, në dyert e të cilës tentojmë të hyjmë ne shqiptarët, me mllefe të vjetra e të reja, me gjuhën e forcës dhe të agresionit të retorikave politike. Në Bruksel shkohet me reforma, ide, platforma konkrete, vizione integruese, me dialog dhe bashkëjetesë dhe Partia Demokristiane në emër të së cilës unë garoj për Tiranën i shpreh më së miri këto cilësi të spikatura politike.
Kush është Tonin Alia? Na thoni diçka për origjinën tuaj dhe të parët tuaj
Unë jam pasardhës i një familje të madhe historike, i derës Alia, nga Kryeziu i Pukës, në trungun e të cilit bën pjesë dhe njeriu simbol që mblodhi Kanunin e Lekë Dukagjinit, At Shtjefën Gjeçovi. Gjyshi im, Ndue Dodë Alia, ka qenë një malësor fjala e të cilit kishte peshë në odën e burrave të maleve, ndante pleqësi e shuante gjaqe, duke u bërë një simbol në gjithë malësinë e Pukës e më gjerë, në Mirditë, Shkodër, Malësi të Madhe e Dukagjin. Për kontributet e tij fetare dhe kombëtare, për frymën humane e denjësisht paqëtuese që përçonte vepra e gjyshit tim Ndue Dodë Alia, Papa Gjon Pali do ta bekonte në vitin 1966. Kështu Vatikani i bëri vlerësimin më të madh, që mund ti bëhet dikujt dhe këtë vlerësim ai e meritonte denjësisht. Por jo vetëm gjyshi, por dhe vëllai i tij, Mark Dodë Alia është dekoruar me titullin e lartë Nënë Tereza, për kontribut të shquar shoqëror në paqtimin e gjaqeve. Im atë, Dedë Alia (Shala) është dekoruar dy herë me medalje pune nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Qytetar Nderi i komunës së Qafë Malit Pukë.
Pse zgjodhët Partinë Demokristiane për të garuar si kandidat për në Kuvendin e Shqipërisë?
Nuk e zgjodha unë Partinë Demokristiane, por më zgjodhi ajo mua. Nuk kisha menduar ndonjëherë se ndokush do të shfaqte ndaj meje një objeksion të ri, pasi unë e kisha zgjedhur me kohë rrugën time, rrugën e biznesit, e aty kisha kohë që ndihesha e ndihem mirë. Ndaj propozimi i lidershipit të Partisë Demokristiane që unë të kandidoja si deputet në Tiranë më erdhi disi i papritur, pasi unë, megjithë preferencën për këtë parti, si një parti e maturisë dhe e ekuilibrave politikë e njerëzorë. Megjithatë e pranova këtë ofertë, me qëllimin që të japë në politikë, siç kam dhënë gjithmonë kudo ku kam punuar, sidomos në biznesin që kam krijuar me shumë mund e sakrifica. Spektri demokristian europian ka krijuar vetë strukturën e Bashkimit Europian, që është arritja më e madhe politike dhe ekonomike e të gjitha kohërave për kontinentin e vjetër, ndaj Partia Demokristiane Shqiptare ecë në gjurmët e simotrave të saj europiane.
Meqë jemi tek biznesi, ku konsiston ky biznes?
Unë ka vite të tëra që drejtoj kompaninë Ardeno, një biznes të suksesshëm, të cilin e kam ngritur nga themeli me shumë vështirësi, me djersë e sakrifica të shumta. Ambientet e kësaj kompanie ndodhen diku në km 2 në Autostradë, sa kalon mbikalimin të Kthesa e Kamzës. Kam synuar ta kthejë jo vetëm në industri teknologjike, por dhe në art, mbi të gjitha në art, përpunimin e drurit. Kam specialistët më të mirë, nga ata që iu këndojnë duart dhe nuk prodhojnë thjeshtë karrige, tavolina e pajisje të tjera mobilimi, por në një farë mënyre vepra arti, me pasion e fantazi. E në këtë fushë jam lider dhe jam çertifikuar me diplomën ISO, çertifikatë të cilën e merr vetëm një autoritet prestigjioz, një autoritet ndërkombëtar. Nuk e teproj po të them, pasi them një të vërtetë, prodhimet Made in Ardeno janë lider edhe në tregun evropian. Në kemi shtrirë lidhjet dhe konkurrojmë denjësisht me prodhimet tona në të gjithë botën shqiptare, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, si dhe në vendet fqinje Greqi e Itali. Gjithashtu, kemi agjentët tanë në krejt Shqipërinë. Ardeno mobilon shtëpi, zyra, shkolla, hotele, ambiente të brendshme e të jashtme dhe po i zgjerojmë kontaktet dhe pikat kontraktuese nga stina në stinë. Jam krenar që pak muaj më parë, pikërisht në 90-vjetorin e shërbimit pyjor kombëtar, jam nderuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin e lartë MJESHTER I MADH. Gjithashtu, për cilësinë dhe përgjegjshmërinë e ofertës së kompanisë sime ndaj klientëve, jam vlerësuar me tituj edhe nga Dhoma e Tregtisë e Shqipërisë. Ne kemi krijuar një sistem pune funksional, një marrëdhënie tejet transparente, ku 65 punëtorët dhe 15 punonjësit e administratës punojnë në kushte optimale dhe gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre, të cilat ua jep legjislacioni dhe Kodi i Punës në fuqi.
Nëse do të uleshit në Kuvendin e ri të pas 23 qershorit, cili do të ishte raporti juaj me elektoratin, qoftë me ata që ju kanë votuar, qoftë me ata që nuk ju kanë votuar?
Unë kam treguar në këto njëzet vjet të ndërtimit të një biznesi të suksesshëm se di të komunikojë me njerëzit, di të jem mirënjohës dhe të përmbush kontratat, qoftë ligjore, qoftë etike e morale, qofshin këto të shkruara apo verbale. Unë nuk i ndaj njerëzit në parcela partiake, në pro dhe kundër meje, kështuqë, nëse do të ulesha në Kuvendin e ri të Shqipërisë, që do të mblidhet pas çertefikimit të zgjedhjeve të 23 qershorit, do të isha një deputet në shërbim të nevojave të qytetarëve, të kujtdo krahu politik e partiak qofshin, në shërbim të komuniteteve që përfaqësoj në tempullin e Legjislativit shqiptar