E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia merr me luftë kontrollin e sheshit Taksim

TurkeyProtestsJPEG-0adde_1370933229--640x360Kryeministri Erdogan nuk tërhiqet: Nuk gjunjëzohemi para tyre
Njësi speciale të policisë turke me mbështetjen e automjeteve të blinduara ka vendosur nën kontroll Sheshin Taksim, qendrën e protestave anti-qeveritare në Stamboll.
Aksioni
Në agimin e djeshëm, njësitë speciale  rrethuan perimetrin ku ngrihen barrikada të shumta në sheshin Taksim duke iu afruar Qendrës Kulturore Ataturk. Qindra anëtarë të njësive speciale kanë përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion e plumba gome për të shpërndarë protestuesit, të vendosur aty në shenjë kundërshtimi ndaj planeve për rinovimin e parkut. Ndërsa policia me helmeta të bardha ndërhyri në shesh disa aktivistë u kundërpërgjigjën me fishekzjarrë bomba molotov e gurë. Forcat e rendit hoqën parullat e protestuesve të cilat ishin varur nga një ndërtesë me pamje nga sheshi. Guvernatori i Stambollit Huseyin Avni Mutlu konfirmoi se policia nuk kishte ndërmend të ndërhynte për të shkatërruar çadrat e demonstruesve në Gezi park. “Qëllimi ynë është të heqim parullat dhe fotot nga statuja e Ataturkut dhe Qendra Kulturore Ataturk. Ne nuk kemi asnjë qëllim tjetër,” shkroi Mutlu në Twitter. “Parku Gezi nuk do të preket”, shtoi ai. Një mesazh i ngjashëm u transmetua nga policia nëpërmjet altoparlantëve, por protestuesit në shesh shprehen mosbesues.
Takimi në rrezik
Masat më të fundit vijnë pasi kryeministri Rexhep Tajip Erdogan ka rënë dakord të takohen organizatorët e protestës të mërkurën. Por analistët thonë se një shfaqje e qëllimshme e forcës që mund të rrezikojë bisedimet e së mërkurës. Vetë Erdogan ka mbrojtur veprimet e policisë. Duke folur mes duartrokitjesh në parlament, ai tha: Pse çfarë prisnin protestuesit? Që të gjunjëzoheshim para tyre?.Protestat në Stamboll kanë hyrë në ditën e 12 e që nga 30 maji nuk ka kaluar ditë që forcat e rendit të mos përdorin gaz lotsjellës e ujë me presion kundër protestuesve në sheshet e Turqisë.

Erdogan: Katër të vdekur gjatë manifestimeve
Manifestimet në të gjithë Turqinë i kanë kushtuar jetën katër personave, tre protestuesve dhe një polici, u shpreh dje kryeministri, Recep Tayyip Erdogan gjatë një fjalimi në parlament. Tre të rinj dhe një polic kanë humbur jetën nga protestat, deklaroi Erdogan para anëtarëve të partisë së tij. Një bilanc i mëparshëm njoftonte për tre të vdekur. Viktima i katërt ishte një punëtor 26 vjeç, i plagosur në kokë gjatë manifestimeve në Ankara.

Policia arreston avokatët e manifestuesve
Policia turke ka arrestuar dje në Stamboll të paktën 20 avokatë të cilët kanë marrë përsipër mbrojtjen e manifestuesve antiqeveritarë, njoftonte në faqen e saj të internetit e përditshmja vendase Hurriyet. Shumë prej përfaqësuesve ligjorë janë ndaluar nga njësiti special i policisë turke në Gjykatën e Caglayan. Në momentin e arrestimit disa prej tyre kanë përfunduar të shtrirë me fytyrë në dysheme, sipas Hurriyet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›