Topalli: Kongresi i PS, si kongresi i radhës së PPSH-së

Tiranë, 18 prill, NOA Kongresi i sotëm i Partisë Socialiste, mund të quhet i krahasueshëm vetëm me kongresin e radhës të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Me një deklaratë të tillë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ka komentuar punimet e sotme të kongresit të forcës rivale politike, duke shtuar se Rama me transparencë të trishtueshme, refuzoi realitetin ekonomik, politik, social e integrues të vendit.
Ata që ndoqën sot kongresin e Partisë Socialiste, patën rastin të konstatojnë se ky ishte dëshpërimisht kongresi i etërve dhe bijve të Bllokut, që kërkojnë revanshin për të dënuar sërish shqiptarët për përbuzjen që u dëshmuan në 28 qershor me votë, citon Topalli në qëndrimin e saj.
Ndër të tjera, kryetarja e Kuvendit pohon se ky ishte kongresi i etërve dhe i bijve të Bllokut, sepse aty ata faktuan se mbeten njësoj si 20 vjet më parë, kundërshtarë të shtetit ligjor, lirisë së tregut, vlerave të sistemit demokratik, betejë që shqiptarët e fituan zyrtarisht ditën kur çliruan Shqipërinë nga regjimi i baballarëve të tyre.
Me platformat që shtruan sot, ata dëshmuan se janë të gatshëm për të bllokuar e për të larguar Shqipërinë nga Europa, thekson Topalli.
Duke vënë më pas në dukje se fjalori i Edi Ramës nuk ishte aspak i denjë për një parti anëtare të Socialistëve Europianë dhe se dëshmoi që partia e tij, një ditë shfaqet si parti e maskave dhe viktimizimit dhe ditën tjetër, si parti e shantazhit dhe e revanshit.
n.e/NOA