E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli Kryefjala reformat. Ruci Votoni propozimet tona

Pas një ndërprerje gati njëmujore, Kuvendi i Shqipërisë rinisi punimet. Deputetët e Shqipërisë u ulen në sallën e Kuvendit për të nisur kështu seancën e parë të sesionit të shtatë të Legjislaturës XVIII-të.

Në fjalën hapëse kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli theksoi se ky sesion është shumë i veçantë, pasi do të shënojë edhe 100-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa u shpreh se kryefjala e këtij legjislacioni do të jetë reforma.

"Për shkak të opozitës dështuam me votimin e heqjes së imunitetit. Miratimi i ligjeve të rëndësishme është detyrë e vendosur nga Bashkimi Europian. Shqiptarët e meritojnë statusin kandidat dhe politika duhet të jetë e bashkuar në votimin e ligjeve të rëndësishme", tha Topalli.

Ndërsa kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi në fjalën e tij u shpreh se ky sesion nisi me një president të ri, i cili pa kaluar një muaj nga zgjedhja në detyrë hodhi tre firma politike.

"Presidenti nuk mori nishan, kur ne krye te KLSH-së zgjodhi nje militant partie dhe me nje performance aspak dinjitoze. Nuk mori nishan kur ne krye te SHISH vendosi nje drejtues me nje te kaluar te zeze, nuk mori nishan kur ne krye te Forcave Detare dekretoi nje ushtarak te larte te arsimuar per forcat tokesore", tha Ruçi.

Më tej kreu i grupit kuvendor të PS nuk i ka kursyer kritikat ndaj mazhorancës, e cila sipas tij nuk është vërtetë e shqetësuar për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, por për të mbajtur pushtetin e saj sa më gjatë. Ai ka përmendur një sërë reformash, të cilat janë pjesë e 12 rekomandimeve të lëna nga BE, dhe që nuk janë realizuar nga qeveria aktuale. Ruçi i bëri thirrje mazhorancës që të votojnë amendamentet e propozuara nga opozita.

“Ku janë rezultatet për çështjen e pronësisë, për luftën nga krimit dhe korrupsionit, për gjykatësit. Mbetet thjesht votohen sa të mbyllet debati për nismën tonë. Kush do drejtësinë e pavarur, gjyqtarë të paanshëm dhe përzgjedhja partiake, le të votojë amendamentet tona”, – theksoi Ruçi.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi akuzoi opozitën dhe liderin e saj për bllokim të reformave të rëndësishme për vendin, ndërkohë që deklaroi se mazhoranca nuk do të votojë paketën e amendamenteve për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PS.  Më tej ai ftoi PS të bashkëpunojë për të votuar heqjen e imunitetit më 6 tetor.

“Nuk kemi ndërmend t’i miratojmë paçavuret e depozituara. Do zbatojmë çdo normë procedurale. Ne nuk mund të marrim seriozisht një gjë që Edi Rama e ka sjellë në kuvend si pretekst për të zvarritur reformat e integrimit dhe mënyrë për të bllokuar statusin”, u shpreh Patozi.

Ndërkohë, sfidat kryesorë të këtij sesioni pritet të jenë heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë, riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vijimi i axhendës parlamentare me çështjet e tjera të lëna në mes nga sesioni paraardhës si projektligjit “për Gjykatën e Lartë” dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Nishani: Palët të punojnë bashkarisht

Kreu i Republikës Bujar Nishani, në një mesazh me rastin e çeljes së sesionit të shtatë të legjislaturës së tetëmbëdhjetë, shprehu urimet për një punë të mbarë të punimeve.

"Kuvendi i Shqipërisë është vendi i debatit, konkurrencës, paraqitjes së pikëpamjeve, alternativave, por dhe i konsensusit e vendimmarrjes. Ne jemi në prag të festimeve të 100-vjetorit të themelimit të Shtetit Shqiptar, një çast kyç ky në historinë tonë.Ky çast përkon edhe me një rrugëtim që kemi nisur prej disa vjetësh, aq shumë të dëshiruar dhe që të gjithë bashkë e konsiderojmë si alternativën e vetme: integrimin evropian", shprehet Nishani.

Në mesazhin publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i vendit theksoi se vullneti dhe dëshira për ta pasur vendin tonë një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian kërkon kontribute reale.

"Nxis forcat politike të punojnë bashkarisht për të arritur realizimin e detyrave të rëndësishme të parashikuara në 12 prioritetet e Bashkimit Evropian, përpara daljes së raportit të përparimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.Dëshiroj me këtë rast të nënvizoj rëndësinë e angazhimit të të gjithë deputetëve në heqjen apo kufizimin e imunitetit si një kontribut të vendosjes së një standardi politik dhe ligjor të nevojshëm për një shoqëri dhe një vend që aspiron vlerat evropiane të shtetit ligjor dhe të së drejtës", theksoin Nishani.

Presidenti kujton se konsensusi i dëshiruar politik, dialogu, toleranca dhe bashkëpunimi i synuar do t’i hapin rrugë një procesi normal zgjedhor ku parashikohet të hyjë vendi ynë në vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›