E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Mamografitë dhe pap-testet do të jenë falas në spitale



Në spitalet e vendit mamografia dhe pap-testi do të jenë falas për të gjitha gratë dhe vajzat. Nën moton “Ne do të fitojmë betejën kundër kancerit” kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, drejtoi dje një seancë të veçantë parlamentare dedikuar sensibilizimit për luftën ndaj kancerit të gjirit, nga ku premtoi dyfishimin e numrit të aparateve të mamografisë në spitale për përfitimin e këtij shërbimi falas për gratë e vendit. Sipas znj. Topalli, nga buxheti i vitit të kaluar, së bashku me deputetët e Komisionit të Shëndetësisë u arrit krijimi i një zëri të veçantë në buxhet për blerjen e mamografive dhe për trajtimin e kësaj sëmundjeje. “Edhe pse ende nuk e dimë se si mund të kurojmë kancerin e gjirit, ne e dimë si ta luftojmë atë. Është i njohur fakti se mamografia zbulon 90 deri 95 për qind të të gjitha kancereve të gjirit”, - tha kryetarja e Kuvendit.

Seanca

Dje, salla e seancës parlamentare ka qenë e mbushur me disa prej grave që kanë fituar betejën kundër kancerit. Ndryshe nga zakonisht, ku kjo sallë ka qenë e mbushur me debate e diskutime, me zëra pro e kundër, kurrë më parë nuk ka pasur më shumë miq të rreshtuar me shpirt e zemër pro një kauze për jetën, kauzës kundër kancerit të gjirit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke bërë thirrje për sensibilizim dhe diagnostikim në kohë të sëmundjes së kancerit të gjirit tha: “ U bëj thirrje të gjitha nënave dhe vajzave, 10 minuta nga jeta juaj mund të shpëtojnë jo vetëm të ardhmen tuaj, por të familjes dhe fëmijëve tuaj. Kanceri i gjirit tashmë është një sëmundje që mund të parandalohet e që mund të kurohet dhe më besoni, ndërgjegjësimi mbetet kura më e mirë”, - tha Topalli.

Më tej, kryetarja e Kuvendit inkurajoi gratë dhe vajzat shqiptare që të mos neglizhojnë sëmundjen dhe as të mos presin që të shohin një shenjë të dukshme në gji apo të ndiejnë dhimbje. “Në shumicën e rasteve kjo sëmundje nuk shfaq dhimbje. Kjo nuk është diçka që duhet të na trembë, por të na ndërgjegjësojë se kjo sëmundje nuk përzgjedh. Është një lajm i mirë që vdekja e përgjithshme nga kanceri i gjirit tek gratë është në rënie, por ne nuk duhet të mjaftohemi me këtë, të rrimë duarkryq apo të ndalim përpjekjet tona për të rritur ndërgjegjësimin. Ne duhet të vazhdojmë betejën për jetën; duhet të vazhdojmë betejën për këtë kauzë derisa zbulimi i hershëm dhe mamografitë e rregullta të jenë pjesë e jetës së çdo gruaje”, - përfundoi znj. Topalli.

Të dhënat

Në botë, një grua në çdo tri minuta rezulton e prekur nga kjo sëmundje. Në Evropë, mbi 200 mijë gra në vit diagnostikohen me kancer të gjirit. Rreziku për jetën është një në dhjetë. Dhe çdo 13 minuta, një grua në botë vdes nga kanceri i gjirit. Në Shqipëri, fatkeqësisht, numërohen rreth 400 raste të reja në vit, por këto shifra nuk janë për të na trembur, këto shifra janë për të na zgjuar që të parandalojmë këtë sëmundje dhe të ulim shifrat e fatalitetit, sepse kjo është tërësisht e mundur. “Ne e dimë se kjo është një sëmundje që nuk prek vetëm të sëmurat. Kjo sëmundje, në një mënyrë shumë të dhimbshme, prek familjet, prek fëmijët e këtyre nënave. Ja pse jemi në këtë sallë sot për të mos e ndalur betejën këtu. Ja pse është thelbësore ecja paralele e reformës shëndetësore dhe ndërgjegjësimit”, - përfundoi kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›