Ku jemi me traditën?
Qendra e Studimeve Albanologjike shqiptare hedh në treg botimin “Mendimi shqiptar dhe shkolla shqipe”, botimet “Plejad”, ku përfshihen aktet e konferencës së parë shkencore mbarëshqiptare që u mbajt në Tiranë në fund të majit të këtij viti.
Tradita e mendimit shqiptar, sa është vënë në shërbim të shoqërisë, shkollës shqipe dhe formimit intelektual në brezat e sotëm-drejtori i QSA-së? Ardian Marashi përballë kësaj njohjeje reale shtron pyetjet se çfarë mund t'i shërbejë më mirë forcimit të shkollës kombëtare shqipe sesa mendimi shqiptar.
“Ne sot ndodhemi në kohën e tranzicionit, prandaj jeta shqiptare nuk ka se si vijon më në gjendjen statike; dashur pa dashur, mirë a keq, traditat, doket, pikëpamja e jetës, gjuha, vetitë e gjithë çka quhet “visar i jetës kombëtare” karakterin e shqiptarit, tash e mbrapa do të përfshihet nga rrymat e frymëzimet kulturore botërore, të cilave më nuk mund t’u ikim e as s’mund t’u shpëtojmë”.
Këto fjalë mund të ishin të sotmet, mund të ishin të miat. Janë shkruar përpara 80 vjetësh, më 1930, në numrin VI të “Hyllit të Dritës” dhe kanë për autor At Anton Harapin.
Ashtu si në krye të viteve ’90, At Anton Harapi i gëzohej hapjes së Shqipërisë, me besimin te korrentet ripërtëritëse që do të sillte era e Perëndimit, ajo drita naimiane që “lind nga perëndon”. Ashtu si ne sot, mendimtari françeskan ishte i bindur se era e Perëndimit herët a vonë do të bënte punën e saj, “dashtë pa dashtë” vullnetit dhe përgatitjes sonë për t’iu përgjigjur frymës së saj. Ja origjinali i atyre fjalëve: “Na sod ndodhim në kohën e tranzicionit; prandej nuk ka se si vijon ma në gjendjen statike jeta shqyptare, por, dashtë e pa dashtë, mirë a keq, tradicionet, doket, pikëpamjet e jetës, gjuha, vetit e të gjith njata shka ashtu visari i jetës komtare e përban karakterin e shqyptarit, tash e mbrapa do të përlahet prej rrymve e frymëzimeve kulturale e botnore, të cillave ma nuk mund u hikim e as s’mund u pështojm”.
Jo rrallë, për arsye të pashpjegueshme dot këtu, lëvozhga e gjërave, veshja e jashtme e mendimit, na pengon me mbërri në thelbin e vërtetë ku fshihet margaritari. Veshja e jashtme mund të jetë diku një dialekt, diku një zhgun prifti, diku një detaj historik, diku tjetërçka që dikujt i shkakton alergji.
Por historia e mbarë kulturës botërore dhe e mbarë aventurës njerëzore ka treguar se margaritari është pasuri e rrallë dhe se, në çdo rast, margaritari ia vlen “të gjuhët”. Në mos tjetër, për arsyen e thjeshtë se kjo është gjëja më e çmuar që mund të lihet trashëgim. Për një kohë, u sollëm me trashëgiminë tonë si indianët e Amerikës, në motet kolumbiane: I ndërruam margaritarët e çmuar të kulturës sonë të mendjes me ca qelqurina të thyeshme të ideologjisë më të dyshimtë që ka prodhuar mendja njerëzore; e bëmë këtë akt me po atë papërgjegjshmëri që i shtyu nënat malësore e fshatare të këtij vendi t’i këmbejnë rruaza perlash të rreme zbukurimet e veta të arta, kurse napolonat e kohës së mbretit me ca palo kartëmonedha, çka u lejonte t’i ushqenin keq familjet vetëm për një javë. Sidoqoftë, nëse atëherë çka u bë, u bë, ca nga shtrëngesa e ca nga paditura, tani kohët kanë (duhet të kenë) ndërruar: nëse ne tregohemi të papërgjegjshëm ndaj trashëgimisë sonë, të jemi të sigurt se brezat e ardhshëm do të na kërkojnë llogari ne që sot jemi të lirë, e jo paraardhësve tanë të tjetërsuar nga diktatura.
Teksa po kërkoja një pikënisje domethënëse për të hapur këtë fjalë mbi mendimin shqiptar, perla mendimi të të gjitha përmasave e hapësirave shqiptare vërshuan mbi tryezën time të punës. E quaj faj, po t’i mbaj për vete, pra po jua përcjell dy a tri copë ashtu pa rend dhe “në origjinal”.
Nga Branko Merxhani ose “inteligjenti i ndritshëm”, siç e cilëson opozitari i vet ideor, At Anton Harapi:
“Jemi keq edhe për një edukatë intelektuale. Njëherë, nuk dihet mirë e mirë nëse kemi mbaruar apo jo njëfarë shkolle. I turbullt dhe shumë i dyshimtë është lloji dhe cilësia e përgatitjes s’onë shkencore. Edhe në qoftë se kemi mbaruar ndonjë shkollë, e kemi mbaruar pa e nisur ende mirë e mirë. Hymë nga njëra derë e pallatit shkollor dhe duallëm nga tjetra. Dhe, porsa duallëm, lamtumirë o shkollë e tungjatjeta o libra! Aq qe!Shkolla na dha disa të drejta stabilizimi në ndonjë kolltuk shtetnor, dhe na ka siguruar ndonjë mjet jetese e mirëmbajtje”.
Mendova:
1) Për ish-shkollën e natës dhe për sistemin e sotëm “part-time”;
2) Për shkrimtarët pa Fjalorë të Shqipes, për mësuesit pa bibliotekë, për bibliotekat pa lexues;
3) Për kryetarët e parive, deputetëve, ministrat, akademikët, profesorët dhe, sigurisht, për biznesmenët e këtij vendi, të cilët fëmijëve të vet u zgjedhin shkolla perëndimore, pse kjo duket zgjidhje më e lehtë dhe më e shpejtë se sa të forcosh shkollën kombëtare.
Nga Mehdi Frashëri, teoricien i nacionalizmit shqiptar dhe interpret i shqiptarizmës:
“Jeta patriarkale ka të metat e veta, sepse çdo anëtar i familjes që jeton nën këto kushte, nuk ka nismë të vetën, por secili do të mbështetet te tjetri. Duke qenë mësuar kështu, kur mbetet vetëm e humbet toruan, sepse nuk është i mësuar të veprojë nën përgjegjësinë e vet, dhe, kur i bie barra përnjiherë, nuk di se nga t’ia mbajë”.
Kuptova:
1) Administrata e ulët, kyçi i suksesit të një shteti, nuk ka vetëveprim, pasi vjen nga familje me origjinë e me praktika patriarkale;
2) Të rinjtë nuk ikin nga Shqipëria vetëm për të gjetur mirëqenien, por t’i shpëtuar tutelës së familjeve patriarkale; kthehen me vështirësi në Shqipëri po për këtë arsye;
3) Gruaja shqiptare përbën problematikë të veçantë për integrimin e plotë në jetën institucionale të vendit, pasi ajo ende ndodhet nën tutelën e tregishtë të një burri, të një vjehërrie e të një shoqërie patriarkale.
“Tash qi asht ba Shqypnija, duhen përba shqyptart”, - shpallte Gjergj Fishta detyrën e ditës për kalesën, pra për atë që sot e quajmë “tranzicion”.
Kur Ernest Koliqi artikulonte në mënyrë lakonike se për kushtet shqiptare (të kohës) detyra e intelektualit atdhetar vazhdonte përtej detyrës: “Në Shqypni, për me ba diçka, nuk mjafton me krye veç detyrën”.
Eqrem Bej Vlora tërhiqte vëmendjen në veprimin pozitiv të shpejtë dhe efikas, me argumentimin se “shqiptari i përvetëson njëlloj shpejt si vetitë e mira, ashtu edhe ato të këqija”.
Ndërsa Mithat Frashëri, ky skeptik i ndritur, e parandiente fort mirë vështirësinë e punës: “Kombit tonë më tepër se çdo send i mungon durimi. Kërkon që një punë të bëhet me një ditë, dëshiron që drurin ta mbjellë në mëngjes dhe pemën ta hajë në drekë. Nuk i pëlqen të presë, të bëjë llogari për kohë të gjatë, të punojë për vitet që do të vijnë, të vuajë shumë kohë duke priturë ditë gëzimi. Jo. Ay thotë ‘më mirë një ve sot, se një pulë mot’ dhe kështu kurdoherë ka mbeturë dhe mbetëtë pa ve”.
Fan Noli, ndërkaq, paralajmëronte që të veprohej me maturi, për t’i dalë përpara konfuzionit të “pesë anarkive”, veçan asaj morale: “Këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditës si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”.
Dhe të gjithë këta mendimtarë pranonin se në rend të ditës mbetej i shtruar përcaktimi i Sami Frashërit: “Në ka ndonjë gjë për të cilënë shqiptarëtë duhetë të kujdesen me të tepërtë, ajo pa dyshim është diturija”.
Ndërkaq, dyshuesit metodikë, “neoshqiptaristët”, si Branko Merxhani e Nebil Çika, e shihnin me një fije mosbesimi këtë paradë mendimesh të fragmentarizuar, që për mungesë metode, nuk mbërrinte të artikulohej në mendimin sistematik koherent, për çka Evropa ishte model; motoja e tyre: “Kemi nevojë për punë sistematike; nuk na pëlqejnë mballomat!” përbën vërejtjen më të ndritur për shoqërinë shqiptare të të gjitha kohëve, e cila deri më sot e ka përkthyer ardhmërinë si një luftë për mbijetesë, pa arritur dot të artikulojë një program kombëtar në frymë vërtetë moderne.
Në mënyrë të qëllimshme e fsheha mendimin tim personal mbas citimeve nga ata vetë që qenë mendjet e ndritura të kombit për të dëshmuar se idetë e mendimtarëve të paraluftës mbeten gjithnjë aktuale për brezin e sotëm të pasdiktaturës. Në fakt, duket sikur analistët e sotëm të shtypit dhe të mediave, për mungesë njohjeje dhe familjarizimi me mendimin shqiptar të traditës, vazhdojnë të sillen në një qark mendimi të mbyllur, pa qenë të vetëdijshëm se në rastin më të mirë po përsërisin çfarë është thënë përpara gjashtëdhjetë e tetëdhjetë vjetëve prej etërve të mendimit shqiptar.
Mes këtyre dy skajeve, të paraluftës dhe të pasdiktaturës ajo çka brezat e pasluftës kanë kuptuar më pak, kur nuk kanë dashur qëllimisht ta shtrembërojnë, është fakti se vitet 1920-1944 qenë një epokë e madhe shpresash, kërkimesh, angazhimesh dhe përgjegjësish. Një teleskopim eklektik i parrëfyeshëm Mesjete, Humanizmi, Iluminizmi e Romantizmi, në moral, në lëmie të dijes, në shoqëri e në të bëra.
Epokë që po ndërtohej e që karakterizohet nga një vlim idesh, debatesh, përplasjesh, keqkuptimesh, bashkëpunimesh, zgjedhjesh e zgjidhjesh, një truall pjellor për formësimin dhe zhvillimin e mendimit praktik, me problematikë konkrete botën shqiptare. Epoka ishte e ethshme, koha nuk priste, ndaj edhe imponoheshin zgjidhje të shpejta e të menjëhershme. Mendimtarëve shqiptarë u mungonte, pra, luksi i metodës dhe i reflektimit të thelluar abstrakt, që çon në përpilimin e teorive. Në Shqipërinë e porsa “të mosvarme”, urgjencat qenë të të gjitha llojeve dhe shtroheshin të gjitha përnjëherësh. Kishte kohë për “sprova”, në kuptimin teoriko-letrar të fjalës, por kishte pak e aspak kohë për studime të paqme afatgjata. Koha e studimeve të thelluara dhe e paqes u duk se erdhi në gjysmë të shekullit, me mbarimin e Luftës. Mendimi shqiptar i deriatyshëm kishte arritur të ngjizej në mënyrë të shkëlqyer, mjaftonte që aspektet e shfaqura të tij të përvijoheshin më tutje, në drejtim të teorizimit dhe të perspektivës. Tradita tashmë qe formuar mbi baza solide të gjithëpërfshirës e të gjithëshprehurit, mungonte vetëm sistemimi i saj dhe konceptualizmi teorik. Mbështetur në mendimin rilindas e post-rilindas, Shqipëria mund të kapte, përtej pesë shekujve vonesë, Barletin, Beçikemin, Gazullin dhe mendimin evropian modern, duke kaluar nëpër përvojën e shkurtër, por rrezëllitëse të iluminizmit voskopojar.
Të gjithë e dimë si ndodhi. U krijua Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, u absolutizua Seksioni i Propagandës në KQPPSH, Enver Hoxha u shpall me bujë si klasiku i pestë i filozofisë së vetme. U bë orvatja që t’i jepej palcë teorike mendimit, por mendimi që doli prej kokave despotike të feudalëve të rinj, ishte gjithçka përpos mendim shqiptar: si me thënë, ishte një “mendim për kohë katastrofash”, i cili solli katastrofë dhe një kaos që vazhdon të jetë çorientues nën rrogoz.
Epoka jonë e mbas ‘90-s duhej të na rilidhte organikisht me tranzicionin e mbas-pavarsisë, përmes një qarku të shkurtër që do e nxirrte praktikisht jashtë loje periudhën komuniste. Situata, atëherë e këtë herë, qe praktikisht e njëjtë: aspirata për Evropën, përpjekja për kulturë, për afirmim qytetërues, për identitet gjeniun i cili të na çlironte nga huazimet bolshevike e kineze mbi “njeriun e ri”. Fatkeqësisht, edhe këtë radhë të gjithë jemi dëshmitarë të asaj çka po ndodh: duke rizbuluar shkollat perëndimore, modelet perëndimore dhe mendimin perëndimor, ne po kujtohemi fare pak dhe vetëm spontanisht për traditën e pasur tonën, e cila, sidomos në vitet ’20-’40 të shekullit të kaluar, qe nisur nga të njëjtat premisa perëndimore, për të bërë një rrugë të gjatë e të sigurt. Në vend që të pozicionoheshim në pikën e ndërrimit të stafetës së brezave, ne u pozicionuam sërish në start. E tash po konstatojmë me habi se gara jonë qenka e gjatë.
Konica sillte shembullin e diplomatit francez Talleyrand: “Bëmëni financa të mira dhe do t’ju bëj politikë të mirë”, - duke shtuar: “Këto fjalë do të bënin mirë sikur ta thellonin qeveritarët e Shqipërisë. Po i dhanë Shqipërisë themele ekonomike të shëndosha, do të jenë të zotët t’i japin edhe një politikë të fortë”. Në vend të financave të shëndosha dhe të themeleve ekonomike, ne ngritëm firmat piramidale, ngase s’patëm kohë të merreshim seriozisht as me Konicën dhe as me mendjet e ndritura të kombit. Shembujt mund të vijojnë kështu për çdo gjë e për çdo fushë të dijes e të veprimit kolektiv; njohja dhe shfrytëzimi efektiv i traditës së mendimit shqiptar na japin mundësi të mos humbasim kohë dhe energji duke përsëritur të thënat e të bërat e para shtatëdhjetë e tetëdhjetë vjetëve, por të ndalemi në gjërat themelore të shtruara për zgjidhje, duke i konsideruar këto jo nga starti i panevojshëm, por nga pika e ndërrimit të stafetës.
Siç u cek më lart, shkaku i njohjes së mangët të mendimit shqiptar qëndron kryesisht në fragmentarizimin e tij, në faktin se ky mendim nuk ka në themel të vet traktate teorike e filozofike që parashtrojnë argumentime duke marrë në shqyrtim arritjet më të spikatura në fushën e mendimit universal dhe duke u pozicionuar si mendim shqiptar origjinal. Në të kundërt, shumë autorë në libra të ndryshëm, si dhe grupe autorësh në revistat që këta kanë drejtuar, kanë formuluar teza dhe kanë mbrojtur argumente që lidhen me fusha të ndryshme të jetës e të problematikës shqiptare, duke dhënë kontribut shumë të shquar në studimet historike, politike, social, etnologjike, letrare, gjuhësore, estetike etj.
Pa qenë sistematik në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ky mendim paraqitet, pra, mjaft autentik: ai ka pasur impakt të qëndrueshëm në shoqërinë shqiptare dhe, për vetë kushtet historiko-politike e sociale që ka kaluar kombi shqiptar, ky mendim ruan një aktualitet tepër të vyer.
Fatmirësisht, për mendimin shqiptar ekziston tashmë një korpus i profilizuar botimesh, i cili jep elementët e domosdoshëm të njohjes dhe të zotërimit të tij, por që ka nevojë të zgjerohet e të plotësohet në vijim me tërë seriozitetin e duhur studimor. Deri më sot, meqenëse çështja e njohjes së autorëve të ndaluar nga censura dilte mjaft urgjente, studiuesit janë marrë në mënyrë sistematike me këta autorë dhe me veprat e tyre, pa u futur dot në përgjithësime transversale, të cilat presupozojnë një njohje shumë të mirë të objektit dhe një trajtim tematizues për të gjithë autorët dhe për të gjithë literaturën shqipe të traditës. Kjo përbën, gjithashtu, një tjetër arsye pse mendimi shqiptar mbetet ende pak i njohur dhe pothuajse i papërfshirë në kurrikulat dhe në programet shkollore, pavarësisht se botimet bazë po plotësohen dita-ditës. Ndërkaq, shoqëria shqiptare dhe shkolla shqipe duhet të ndërgjegjësohen se mendimi kombëtar qëndron gjithmonë në themel të një shkolle kombëtare solide dhe të një shoqërie të emancipuar.
Ne kemi një traditë të begatë të mendimit shqiptar, prandaj na bie përgjegjësia që këtë traditë ta vëmë në shërbim të shoqërisë shqiptare, të shkollës shqipe dhe të formimit intelektual e kombëtarist të brezit të ri. Çfarë mund t'i shërbejë më mirë forcimit të shkollës kombëtare shqipe sesa mendimi shqiptar?