E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli Opozita si Hamzai dhe Haxhi Qamili

Jozefina Topalli, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë raportit për punën e institucionit që ajo drejton për vitin 2012, u shpreh se Parlamenti ka votuar 80 ligje, por 3 ligjet që duheshin për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian, nuk u votuan nga opozita.

Kryetarja e Kuvendit e krahasoi opozitën me Hamza Kastriotin dhe Haxhi Qamilin: “Kemi votuar 80 ligje, por 3 ligjet që duheshin për tu votuar nga opozita nuk u votuan dhe Shqipëria u la pa mundësinë e marrjes së statusit kandidat në BE. Opozita prishi festën e vendit. Opozita është si Hamza Kastrioti apo Haxhi Qamili, njerëz që kanë qenë pengesë në zhvillimin e Shqipërisë gjatë gjithë historisë.”

“Kuvendi zgjodhi presidentin e Republikës dhe kjo është ngjarja më e madhe parlamentare; pas 10 vitesh përpjekjeje, më në fund u miratuan ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit. Të gjithë tashmë janë të barabartë para ligjit.
Falenderoj kolegët, deputetët dhe anëtarët e komisioneve për punën e tyre”, deklaroi Topalli, e cila vlerësoi edhe reformat e qeverisë, të cilat sipas saj bënë që Shqipëria të mos vuante krizën ekonomike që ka pushtuar Europën.

“Shqipëria nuk provoi recensionin sepse qeveria mori reformat e duhura. Shqipëria ka probleme, por nuk jemi në krizë. Modeli ynë ekonomik është i suksesshëm sepse kemi guxuar për të. Nuk kemi rritur taksa, ndërsa rritjen e borxhit e kemi kthyer në rritje ekonomike”, theksoi kryetarja e Parlamentit.

Në lidhje me zgjedhjet e vitit 2013, Topalli tha se “Shqipëria ka zgjedhjet më transparente në botë”.

“Ekziston një vullnet i fortë politik për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria ka zgjedhjet më transparente në botë dhe 23 qershori do të vendoset nga shqiptarët.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›