E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Për mandatet e deputetëve vendos KQZ-ja

Kryetarja e Kuvendit flet për mandatet e deputetëve dhe qëndrimin e mazhorancës ndaj kutive të votimit

TIRANË - Viti i ri parlamentar që pritet të nisë të hënën do ta gjejë Shqipërinë sërish të përfshirë në një krizë të thellë politike. Duket se notat e zbutura të debatit nga ana e mazhorancës në fund të vitit të shkuar nuk kanë pasur efektin e duhur dhe përsëri pozita dhe opozita do t'ia nisë aty ku e la.

Shenjat e para i ka dhënë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila në këtë fillim sesioni parlamentar ka bërë të ditur nuk mund të ketë asnjë tërheqje sa i përket plotësimit të kërkesës së opozitës për hapjen e kutive dhe hetimin e zgjedhjeve.

Duke folur për radio "Europa e Lirë" Topalli ka bërë të qartë se vetëm nëpërmjet rrugës institucionale ligjore mund të bëhet hetimi i zgjedhjeve të shkuara, duke lënë të kuptohet se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe prej aty të debatojë për bërjen e transparencës së procesit të shkuar elektoral.

"Detyra jonë është të përsërisim për të satën herë se çdo gjë që është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, mund të realizohet në Kuvend. Debati bëhet në Parlament, nuk bëhet në rrugë", - tha gjatë fjalës së vet Jozefina Topalli.

Në këtë mënyrë, ajo ka bërë të qartë se zgjidhja nuk mund të vijë veçse duket u njohur Kuvendi prej PS-së dhe angazhimit të saj në sfidat që e presin vendin."Kjo është një çështje që nuk zgjidhet nga PD-ja.

Kjo është një çështje që ka të bëjë me kryetarin e Partisë Socialiste, i cili me kërkesën e tij (në fakt ai nuk e thotë realisht se çfarë kërkon) kërkon të mos njohë rezultatin e 28 Qershorit, gjë që do të thotë të mos pranosh bazën mbi të cilën ngrihet një sistem demokratik", - theksoi kryeparlamentarja.

Madje, në këtë linjë ajo ka siguruar se si kryetare e parlamentit do të zbatojë menjëherë ligjin për sa i përket edhe fatit të mandateve të deputetëve socialistë. Topalli ka deklaruar se përcaktimet e Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit do të zbatohen menjëherë sapo të përfundojë afati gjashtë mujor.

"Shteti funksionon në bazë të ligjit të tij themelor, që e ka emrin Kushtetutë. Ajo që shkruan Kushtetuta, ajo duhet të zbatohet dhe të aplikohet që në ditën e parë, pa asnjë dyshim, pa asnjë hezitim.

Po të mos e bënim këtë, atëherë ne s'do të ishim shtet, ne s'do të ishim shtetarë dhe ne s'do ta meritonim karrigen në të cilën jemi. Kështu që në këtë aspekt, Kushtetuta vetëm duhet të respektohet", - pohoi Topalli.

Për këtë qëllim, kryetarja e Kuvendit ka bërë të ditur se me afrimin datës së skadimit të këtij afati, që natyrisht i bie të jetë 7 marsi, ajo do të mbledhë strukturat përgjegjëse parlamentare për të ndjekur procedurat e duhura dhe për t'iu drejtuar më pas KQZ-së për të bërë ndryshimet e duhura në listën e kandidatëve fitues. "Këtë nuk e bën Parlamenti, këtë e bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Parlamenti do të mbledhë Këshillin Legjislativ dhe Sekretariatin e Rregullores dhe të Imuniteteve, të cilët do të bëjnë verifikimin e datave, të afateve që shkruhen në Kushtetutë dhe do të vënë në dijeni KQZ-në. Gjatë këtyre ditëve, unë, për shkak të angazhimeve të tjera, nuk kam komunikuar me deputetët, por shumë shpejt unë do t'u kërkoj atyre që të fillojnë të punojnë", - shtoi kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

********************

Kryetari i grupit parlamentar socialist në PE, Martin Schulz, tha se nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme

Bojkoti, Topalli kërkon ndihmën e socialistëve evropianë

TIRANË - Mazhoranca e djathtë shqiptare kërkon ndihmën e socialistëve evropianë për të bindur Partinë Socialiste që të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend.

Është kryetari i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian, Martin Schulz, ai që ka bërë publike dje tentativat e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, për të bindur të majtët evropianë që të ndërhyjnë te homologët e tyre shqiptarë për të pranuar një zgjidhje ligjore të krizës politike, që është krijuar në vend që pas zgjedhjeve të 28 Qershorit. Megjithëse nuk ka bërë të ditur mënyrat apo mekanizmat, me të cilat do të ndërhyhet, Schulz ka pohuar se do të synohet që të gjendet një zgjidhje.

"Vendi ka nevojë për zgjidhje të forta dhe duhet të ketë një perspektivë evropiane dhe për këtë perspektivë evropiane, duhet që të gjitha partitë në vend të gjejnë zgjidhje të përbashkëta.

Ajo që bisedova me kryetaren e Kuvendit është, se ç'mund të bëjmë ne si socialistë evropianë dhe diskutuam për disa refleksione të përbashkëta, por siç u mora vesh dhe me kryetaren, nuk dua t'i bëj publike", - tha kreu i deputetëve socialistë evropianë. Por, nga ana tjetër, ai ka saktësuar se pozicioni i tij nuk i lejon që të ndërhyjë te PSSH-ja, pasi, kriza politike, në të cilën është përfshirë Shqipëria, është një çështje e brendshme e saj.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se diçka në këtë drejtim pritet të arrihet gjatë takimit që drejtuesit më të lartë të Internacionales dhe Partisë Socialiste Evropiane do të zhvillojnë në Tiranë gjatë ditëve në vijim. "Nuk më takon mua që të influencoj deputetë apo liderë partie për çështje të brendshme.

Unë e informova kryetaren e Kuvendit në Shqipëri, se socialistët po përgatisin një konferencë në Tiranë për situatën në Ballkan dhe ne do të flasim për situatën e Shqipërisë dhe të së majtës shqiptare në këtë konferencë", - tha më tej Schulz.

Ndërkohë që nga ana tjetër, eurodeputetë të tjerë kanë vlerësuar si detyruese për të majtën shqiptare rikthimin në Kuvend. Sipas kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, Gabriele Albertini, i cili gjithashtu zhvilloi një takim me kryeparlamentaren Topalli, opozita shqiptare duhet të pranojë rezultatin dhe të kthehet në Kuvendi për të luajtur rolin që i takon. Edhe Kryetari i Partisë Popullore Evropiane, Joseph Daule, ka deklaruar për mediat në Bruksel se nuk duhet bojkotuar dhe se opozita duhet të japë kontributin e vet në proceset integruese të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›