E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Vlorës, nis bojkotimi pa afat

GREVA/ Pedagogët dhe gjithë stafi akademik kanë vendosur të ndërpresin mësimin në një grevë pa afat

Greva mësohet se do të vazhdojë deri në plotësimin e tre kërkesave kryesore të paraqitura nga universiteti

VLORË - Dyert e universitetit të Vlorës janë mbyllur dje për studentët, për shkak të një greve pa afat. Pedagogët dhe gjithë stafi akademik kanë ndërprerë mësimin në një grevë pa afat, derisa Ministria e Arsimit dhe Shkencës të plotësojë tre kërkesa kryesore: universiteti të promovojë vetë stafin pedagogjik; miratimin e programeve të reja të propozuara që në vitin 2009 dhe ambiente studimi e pune në universitetin "Ismail Qemali".

Njoftimi për grevë është shpërndarë me anë të postës elektronike te studentët, shumë prej të cilëve dje janë përgatitur për bojkotimin, por pa ditur mirë arsyet pse zhvillohej greva. Ndërkohë, pranë godinave universitare kanë mbërritur si çdo ditë autobusët nga Fieri, që transportojnë studentë. Këta të fundit thanë se kanë ardhur për mësim, por janë lajmëruar për grevë.

Motivi është bërë publik në faqen zyrtare të Universitetit të Vlorës, ku pedagogët dhe stafi akademik i janë drejtuar me një peticion ministrit të Arsimit, ku deklarojnë se protesta nuk ka karakter politik, por akademik. "Pedagogët dhe studentët e Universitetit të Vlorës kërkojnë të respektohet "autonomia dhe liria akademike" e parashikuar shprehimisht në Ligjin e Arsimit të Lartë"- thuhet në të.

Ndërkohë, ata i kërkojnë përgjigje ministrit të Arsimit se për çfare arsye ai ka propozuar përshpejtim në dhënien e titujve akademike dhe përse cenon konkurrencën e ndershme, çka nënkupton frenimin e disa universiteteve dhe favorizimin e disa të tjerëve. Për këto, stafi i Vlorës kërkon që ministri Tafaj të bëjë me dije edhe kreun e qeverisë.

Sipas tyre, ministri e ka sulmuar universitetin për disa teka të tij duke krijuar një situatë të padëshirueshme. "Ne nuk do të lejojmë që të cenohemi nga burokratë që nuk kanë shkelur ndonjëherë në dyert e një universiteti dhe që akoma mendojnë se universitetet mund të përparojnë me diktat"- përfundon peticioni.

Studentët thanë se janë lajmëruar për grevë, por nuk kanë ditur të shpjegojnë arsyet pse bëhet ky bojkotim. Dje universiteti ka mbyllur dyert dhe nuk është lejuar askush të hyjë në ambientet e tij. Nuk kanë munguar zërat për shkarkimin e rektorit të universitetit, çka nuk është pranuar nga ana e zv.rektorit Eustrat Zhupa.

Numri dy i universitetit bëri me dije se nuk ka afat për bojkotimin, pasi gjithçka varet nga zgjidhja e kërkesave. Vetë rektori u është drejtuar me një letër studentëve dhe pedagogëve, ku pohon se nuk do të ketë negociata, por vetëm do të kërkohet plotësimi i kërkesave, madje deri në grevë urie, ku po përgatiten lista vullnetarësh. Publikime të tjera që gjenden në faqen zyrtare të Universitetit të Vlorës bëjnë të vërehet edhe rinisja e "luftës" mes rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit

Letra që Shaska u ka dërguar pedagogëve dhe studentëve

Titulli: Ne do të fitojmë
Sot na ka kontaktuar qeveria. Qëndrimi ynë është i prerë.
Negociata s'do të ketë pa dalë VKM për promovimet.
Ne jemi gati të futemi edhe në greve urie. Një listë me vullnetare po mbushet.
Mos bini pre e provokimeve. Ne jemi më të fortë se kurrë.
UV nuk do të mposhtet nga asnjë qeveri. Shpresa e së ardhmes nuk vdes kurrë dhe kjo është çfarë UV paraqet për ne.
Të jemi të bashkuar!
T. Shaska

Deklaratë për shtyp

Stafi pedagogjik i Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës njofton fillimin e protestës deri në realizimin e kërkesave si më poshtë:
UV të ketë të drejtën të promovojë stafin pedagogjik. Ministri i Arsimit është angazhuar personalisht për këtë dhe nuk ka marrë asnjëlloj masë, përkundrazi, ka bërë propozime që cenojnë standardet akademike dhe konkurrencën e ndershme midis universiteteve.
Të miratohen të gjitha programet e reja për të cilat UV ka aplikuar në Ministrinë e Arsimit qysh prej marsit të vitit 2009. Këto janë dërguar zyrtarisht disa herë në Ministri por akoma nuk është marrë përgjigje. Disa herë na është premtuar gojarisht nga stafi i ministrisë se do të plotësohen të gjitha kërkesat.
Të krijohet mundësia reale për ambiente të reja për studentët dhe për vende pune në UV. Prej kohësh kemi kërkuar një terren për ndërtimin e një kampusi universitar, por nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare përveç premtimeve me gojë. Universiteti i Vlorës është në nevojë urgjente për rritjen e numrit të stafit të tij sepse aktualisht të gjitha Departamentet po zhvillojnë mësimdhënien me staf të mbingarkuar.
Theksojmë se protesta jonë nuk ka karakter politik, por akademik. Pedagogët dhe studentët e Universitetit të Vlorës kërkojnë të respektohet "autonomia dhe liria akademike" e parashikuar në Ligjin e Arsimit të Lartë.
Kërkojmë gjithashtu që ministri i Arsimit të përgjigjet para opinionit dhe të informojë Kryeministrin për pyetjet e mëposhtme:
Për çfarë arsye ministri ka propozuar përshpejtim në dhënien e titujve akademikë?
A cënon konkurrencën e ndershmë frenimi i disa universiteteve dhe favorizimi i disa të tjerëve?
Si e kupton ministri "lirinë dhe autonominë akademike"?

Ne kemi bindjen se zoti ministër nuk ka një përgjigje për këto pyetje. Ai, në një moment të vështirë për shqiptarët, këmbënguli në kapriçon e tij dhe të disa deputetëve të papërgjegjshëm për të sulmuar Universitetin e Vlorës dhe krijoi një situatë që asnjëherë nuk do ta dëshironim.
Ftojmë të gjithë dashamirësit e arsimit dhe të Universitetit të Vlorës të bashkohen me protestën tonë paqësore. Universiteti është pasuri e të gjithëvë dhe është nderi i Vlorës.

Ne nuk do lejojmë që të cenohemi nga burokratë që nuk kanë shkelur ndonjëherë në dyert e një universiteti, dhe që akoma mendojnë së universitetet mund të përparojnë me diktat.
Stafi pedagogjik i Universitetit "Ismail Qemali" Vlorë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›