Topalli: Tani që BE pranoi kërkesën tonë për anëtarësim, opozita urgjentisht në Kuvend

Tiranë, 17 nëntor, NOA Deputetët e Partisë Socialiste duhet të mos humbasin më kohë lidhur me procesin e integrimit tani që ai është më konkret dhe më i prekshëm se kurrë pas miratimit të djeshëm nga Brukseli të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nga Nju Jorku ku gjendet në kuadrin e përzgjedhjes së saj si një ndër 15 kryesuesit e Unionit Ndërparlamentar Botëror ku përfshihen 200 parlamente të botës.
Pranimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim nga BE është e jashtëzakonshme dhe kjo do të thotë që Shqipëria është përgëzuar edhe për zgjedhjet e 28 qershorit, pohoi ajo në mesazhin e saj drejtuar me këtë rast.
Duke shtuar se ky tashmë përbën një rast, të cilin opozita nuk mund ta humbasë.
E humbi shansin për të qenë në Parlament, për të kontribuar gjatë këtyre dy muajve për tu bërë pjesë e kësaj fitoreje, por tani kjo është një ditë e madhe ndaj dhe shfrytëzoj dhe një herë rastin për të ftuar në Parlament deputetët socialistë, tha ajo.
Sipas saj, çdo deputet duhet të përcjellë kontratën që ka me zgjedhësit e tij, ndaj të cilave nuk mund të shpëtojë askush.
Ndaj dhe unë i ftoj dhe një herë të vijnë në Parlament, të mos humbin momente të tjera, ka shtuar më pas Topalli në lidhje me një fakt të tillë.
n.e/NOA