E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli e Bode tërhiqen: Nuk kemi ambicie për të marrë drejtimin e PD-së

jozi

Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode nuk do të kandidojnë për kreun e PD-së. Këtë gjë ata e kanë bërë me dije gjatë ditës së sotme, pasi Sali Berisha njoftoi hapjen e garës për pasuesin e tij në krye të PD-së.

Topalli dhe Bode kanë deklaruar se nuk kanë ambicie që të marrin drejtimin e PD-së.

S’do të kandidoj për kryetare të PD-së, nuk ka qenë ambicia ime. Jam krenare që kam punuar me Sali Berishën, pasi ai është arkitekt i Shqipërisë moderne, u shpreh Topalli pas mbledhjes së kryesisë së PD-së.

Me këtë duket se i hapet rruga Lulzim Bashës për të marrë drejtimin e PD-së, duke qenë se Jozefina Topalli shihej si kundërshtarja e tij kryesore.

Po kështu, edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Ridvan Bode, që mban njëkohësisht dhe postin e Ministrit të Financave, tha para mediave se do jetë në funksion të konsolidimit të lidershipit të ri të kësaj partie, duke përjashtuar kështu mundësinë e kandidimit të tij për kreun e PD.

Unë kam 16 vjet që jam Sekretar i Përgjithshëm në PD, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Sali Berishës, ka qenë një kënaqësi dhe fat i madh për mua që kam bashkëpunuar me të në ditë të mira e të këqija. Do jem në funksion të konsolidimit të një lidershipi të ri të PD që do të konfigurohet nga këto zgjedhje, të cilat do të jenë të përgjithshme për të gjithë anëtarët e PD, u shpreh Bode./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›