Topalli mbështet gjykatësit: Zëvendësime në KLD
TIRANË- Një ditë pas apelit publik të gjyqësorit për konsensus politik me qëllim realizimin e reformës në drejtësi, ka reaguar kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli.
Gjatë një deklarate për shtyp, pas takimit me të zgjedhurit e Kuvendit në KLD, theksohet se Topalli konfirmoi qëndrimin e Kuvendit në mbështetje të plotë të autonomisë së Gjyqësorit.
Sipas saj, pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor.
"Për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur tre të pestat për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit të përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet në KLD. Të drejtat e Gjyqësorit për t'u përfaqësuar në KLD me të zgjedhurit e tij nuk mund të pengohen, tjetërsohen dhe asgjësohen nga askush. Është në të drejtën e Gjyqësorit që të ndërmarrë çdo nismë, në përputhje me Kushtetutën e vendit, për të zëvendësuar anëtarët me mandate të skaduara dhe për të plotësuar vendet vakante në KLD"- thuhet në deklaratë.
Sipas saj, Kushtetuta përcakton se balanca e përfaqësimit në KLD në favor të Gjyqësorit, me anëtarë të zgjedhur rregullisht dhe që përfaqësojnë vullnetin e Trupës, është parim themelor i ngritjes dhe funksionimit të KLD-së. "Ky parim nuk mund të cënohet nga askush. Cënimi i tij është dhunim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës. Qëndrimi i Kuvendit është i prerë dhe i qartë. Ai mbështet trupën e Gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD"- theksohet më tej.
Sipas Topallit, çdo qëndrim tjetër, i kujtdo individi, i cili pengon Gjyqësorin në ushtrimin e të drejtave të veta është antikushtetues dhe i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë.
***
Kreu i Gjykatës së Lartë, shkresë Ministrit të Drejtësisë
TIRANË - Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beqaj i ka nisur një shkresë Ministrisë së Drejtësisë ku i kërkon hartimin dhe dërgimin me urgjencë për miratim në Kuvend të ligjit për sistemin gjyqësor. Por ligji nuk mund të kalojë pa praninë e opozitës në Kuvend, ndaj gjyqtarët i bëjnë thirrje edhe politikës të gjejë konsensusin.
Sipas saj ky sistem gjendet në ngërç pas përfundimit të mandatit për dy anëtarë të KLD-së dhe përqasja e afatit të përfundimit të këtij mandati për 2 anëtar të tjerë. Po kështu rrëzimi i ligjit për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore nga Gjykata Kushtetuese dhe bllokimi i draftit të Ministrisë së Drejtësisë për ligjin e ri në Parlament pasi duhen tre të pestat e votave Kuvend, e bën të pamundur mbledhjen e këshillit dhe plotësimin e vendeve bosh në KLD. Kësisoj, mungesa e 4 votave në vendimet e KLD-së i nxjerr si antikushtetuese të gjitha vendimet që mund të merren nga ky institucion.
Deklarata e përbashkët u hartua pas takimit që u zhvillua dje nën organizimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beqaj. Në takim morën pjesë të gjithë kryetarët e gjykatave të të gjitha niveleve, dy shoqatat e gjyqësorit si dhe institucioneve ndërkombetare që kanë dhënë asistencë në lidhje me reformën në drejtësi si EURALIUS, USAID
Në deklaratën e përbashkët e cila është shpërndarë në media kërkohet :
1 Ministria e Drejtësisë të pasqyrojë në draftin përfundimtar në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bera nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombetar EURALIUS, në lidhje me projekt - ligjin.
2 I kerkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projekt - ligj me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t'i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë, për miratim.
3- I kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsesus dhe në kohë rekord për kalimin e këtij projekt - ligji, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e Sistemit të Drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti.
4- Nga kjo tryezë e rrumbullakët, në unanimitet u vendos që paralelisht me procesin ligjvënës trupa gjyqësore të vete administrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtaret e Republikës së Shqipërisë ne date 05.12.2009.