E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli ne ldquoTop-Storyrdquo

Në një ditë dhe një javë vendimtare për politikën shqiptare, në studion e “Top-Story” mbërriti kryetarja e Kuvendit dhe një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Demokratike, zonja Jozefina Topalli.

Dalja e LSI-së nga koalicioni, fushata e ashpër zgjedhore, dy platformat që kanë ofruar të dy koalicionet e mëdha, por mbi të gjitha zgjedhjet e 23 qershorit, shanset e demokratëve për të fituar një mandat të tretë dhe e ardhmja e vendit pas zgjedhjeve, u vendosën të gjitha në fokusin e intervistës së realizuar nga studiot e reja të “Top-Channel” në periferinë e Tiranës, nga Sokol Balla.

Sokol Balla, “Top-Story” -  Qeveria e riformatuar pas ikjes së LSI kaloi votëbesimkin. U ndie një lloj entuziasmi, tuajin dhe deputetëve të tjerë. Përse ky entuziazëm kaq i madh, duke ditur që nuk rrezikoheshin?

Jozefina Topalli, kryetarja e Kuvendit – Ishim shumë të kënaqur, ndiheshim mirë me emrat e rinj të paraqitur nga kryeministri i vendit, katër emra të respektuar, secili në profesionin e tij, njerëz me integritet të lartë.

Sokol Balla – Megjithatë, ky votëbesim u arrit nga tre vota ish-socialiste, Islami, Dogjani dhe Kadeli.

Jozefina Topalli – Janë tre socialistë me kontribut të jashtëzakonshëm në PS, që prej themelimit të kësaj partie. Ata janë njerëz që janë dëbuar nga radhët e asaj partie. Janë emrat që Rama i përjashtoi nga lista, pasi kërkon t’i zëvendësojë me 99-shat e tij. Unë i kuptoj absolutisht shumë mirë ata anëtarë të PS apo atya që kanë besuar e kontribuar në këtë parti, por kjo nuk është çështja ime. Ajo që kryeministri Berisha premtoi dhe tha sot me të drejtë, është që këta kanë qenë në minorancë, janë ende dhe kështu do të mbeten përsëri. Për të gjithë ata që mendonin se do të shpërndanin qeverinë, kalimin në një qeveri teknike, sot edhe një herë në sallën e Parlamentit, ashtu siç e premtuan në respekt të kushtetutës, nuk shkuam në qeveri teknike, as mocion e asgjë tjetër. Ky është një premtim i ri i pambajtur nga Rama.

Sokol Balla – Duket normale që të kishte një lloj paqartësie apo pritshmërie për atë që do të ndodhte, pasi logjika ngrinte shumë pikëpyetje për atë që do të ndodhte pas largimit të anëtarit kryesor të koalicionit.

Jozefina Topalli - Në fakt, Edi Rama, edhe ditët përpara, u thonte deputetëve, e të gjithë prisnin se do të kishte qeveri teknike. E tha edhe me 100-vjetorin e pavarësisë, e tha edhe përpara tre ditëve, e kishte thënë në 21 janar kur organizoi protestën e dhunshme 5-orëshe, përsëri nuk e realizoi të rrëzonte Sali Berishën. 2007-n tha fituam, 2009 dhe 2011 gjithashtu. Të tilla fitore paçin!

Sokol Balla - 21 janari është shndërruar në një nga pikat më të debatueshme në lidhje me ato që ka ndodhur në mandatin tuaj dhe koalicion.

Jozefina Topalli - Absolutisht po. Duhet të hapësh rrjetet sociale, është një bombardim pikërisht në raport me atë që Rama bëri në 21 janar, me atë që Rama karikoi 300 shqiptarë, disa me pagesë, disa mbase e besuan. Një shpërthim në rrjetet sociale i paparë, organizim i jashtëzakonshëm i njerëzve që thonë atë që mendojnë. Ajo që më bën përshtypje është se si ka mundësi që ndihen të tradhëtuar nga kush, nga Edi Rama? Vërtetë besoni në atë që ai ka premtuar vazhdimisht e që se ka mbajtur kurrë. Kthehemi pak në retrospektivë, qoftë në 2009-n, a u tha deputetëve se pa zgjedhje s’futemi në Parlament, u futën. Ne thamë kutitë nuk hapen, ai tha do hapen. U thamë rrini jashtë, i lamë pa rrogë deri sa u futën. Megjithata, s’kanë nevojë për rroga miliarderët. Thanë nuk dalim gjallë nga greva e urisë, i nxorri nga greva pa punësuar asnjë prej tyre, pavarësisht atyre që u premtoi. Në 100-vjetor tha se Berisha s’do jetë kryeministër, gënjeu përsëri, tha përpara tre ditëve që do të ketë qeveri teknike, gënjeu përsëri, tha në 21 janar, për pesë orë rresht, përsëri gënjeu. Siç tha atëherë edhe ambasadori amerikan me qartësi të madhe, ishte një protestë tragjike, e paramenduar dhe e organizuar, e financuar, e mbështetur mediatikisht nga Partia Socialiste. Ata e pësuan, por kë duhet të fajësojnë? A e kuptoni se ka shpërthyer “Facebook” e rrjetet sociale, pasi shqiptarët mund të kenë 1 mijë probleme, por çfarë nuk pranojmë me të vërtetë? Që 100 vjet më parë, kur s’kishte ekonomi e as shtet, dy gjera nuk pranonin shqiptarët, prekjen e gruas, mosnjohjen e fëmijës, e këto amoralitete. Këto nuk kanë ndryshuar as sot.

Sokol Balla – Duket paradoksale, që argumenti i 4 të vdekurve përdoret nga maxhoranca, që deri tani nuk ka dhënë asnjë shenjë reflektimi.

Jozefina Topalli - Ty nuk të bën përshtypje Sokol? Kur është çështje morale parimore, shoqëria shqiptare kurrë nuk toleron. Këto janë vlerat morale të shoqërisë shqiptare.

Sokol Balla - Nuk është paradoksale të merrni 21 janarin si bazë amorale për ngritjen  aleacës Rama-Meta, nuk ka asnjë relfektim nga e djathta për koalicionin Berisha-Meta dhe përgjegjësinë e atij 21 janari?

Jozefina Topalli - Më çudisni shumë, ndoshta nuk ke qenë në Shqipëri.

Sokol Balla – Kam qenë këtu, duke bërë detyrën time si gazetar, ndonëse do të kisha dashur në atë moment të mos isha.

Jozefina Topalli – Këtu jeni i vërtetë kur thoni do të kisha dashur mos isha. Çfarë modeli i treguam atë ditë brezit të ri? Këta janë shqiptarët? Ne jemi vëllezët, cili shkon për të rrëzuar me dhunë një karrige? A ju kujtohen Sokol, prononocimet e Ramës, përpara, gjatë dhe pas 21 janarit? Pse kur vdiqën 4 vetë i tha bota kthehu atij e jo neve. Ata të katërt i besuan vërtetë Sokol, siç i besuan deputetët kur bojkotuan Parlamentin, por a ka kjo shoqëri një sistem vlerash?  Prandaj ju thashë, ne si shoqëri nuk kemi për ta falur, atë njeri që e ka në ndërgjegje atë ditë dhe duhet të kërkojë të falur, por se besoj se do ta bëjë.

Sokol Balla - A mendoni se mazhoranca, tani që Meta iku, pagoi për 21 janarin një faturë që nuk ishte e juaja?

Jozefina Topalli - Sigurisht që nuk ishte e jona, sigurisht. Përsa i takon aleancës, ne respektuam marrëveshjen deri në ikjen e zotit Meta. Në qoftë se kthehemi në fillim të 2009-s, ne zbatuam vullnetin e shqiptarëve, që thanë Berisha kryeministër i vendit, por nuk do të udhëheqë vendin. Të pëlqen apo jo, do të respektosh vullnetin e çdo qytetari që hedh votë.

Sokol Balla – Në këtë studio, disa muaj më parë, kryetari i grupit tuaj parlamentar, Astrit Patozi tha që nuk ishte një kontratë e lumtur ajo me LSI-në, por i duhej vendit. A jeni i lumtur që zoti Meta iku nga ky koalicion?

Jozefina Topalli - Politikani duhet të lexojë votën e sovranit, ai që thotë fitova kur ka humbur, duhet të dalë direkt nga politika. Unë, as kolegët e mi se kemi pasur të vështirë bashkëpunimin, por sovrani lexohet dhe rezultati pranohet.

VAZHDON

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›