E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli takon Kryetarin e Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç

 Tiranë, 23 dhjetor NOA - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli  priti sot në një takim përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, dhe Kryetar i Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç.

Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj vizite dhe rolin e komunitetit serb në Kosovë, Kryetarja e Kuvendit tha se pjesëmarrja e këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale është një shenjë e maturisë dhe e vullnetit pozitiv që vendet dhe popujt e Ballkanit kanë për paqen e qëndrueshme por edhe për përshpejtimin e  proceseve integruese. Duke u ndalur në vendimin e BE-së për heqjen e vizave Kryetarja e Kuvendit tha se, në korrik të 2010 do të hiqen vizat edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe së shpejti, jemi të bindur se edhe Kosova do të përfshihet në proçesin e liberalizimit të vizave. Nga ana e tij zoti Petroviç, duke e konsideruar këtë vizitë si historike për mesazhin që jep, tha se këto takime do kenë një impakt pozitiv në interes të popujve  të Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai e cilësoi si një gjest me simbolikë të madhe, mesazhin e Qeverisë shqiptare për ndihmë ekonomike në ndërtimin e kishave apo objekteve të tjera  në komunat me shumicë serbe. Kryetarja e Kuvendit dhe zoti Petroviç vlerësuan se bashkëpunimi mes dy Kuvendeve ka ardhur në rritje, ndërsa shprehën bindjen dhe vullnetin për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve edhe mes komisioneve parlamentare apo grupeve të deputetëve. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i ri i zgjedhur i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviç, Ministri për Kthime dhe Komunitete, Sasha Rashiç, Ministri i Punës dhe Mirëqenies  Sociale,  Nenad Rashiç dhe Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të shqipërisë, Fatos Beja. k.k/NOA      

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›