Topalli-të rinjve: Në 23 qershor do të marrim një rezultat si në 92-in
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi një takim me të rinjtë e FRPD-së në qytetin e Shkodrës ku shpërndau 3088 karta anëtarësimi për të rinjtë e këtij qyteti. Duke vlerësuar kontributin e të rinjve, Topalli tha se falë tyre Partia Demokratike do të arrijë të marri në zgjedhjet e 23 qershorit tetë mandate deputetësh në qarkun e Shkodrës.
Deklarata
Çdo ambicie e juaja është objektivi ynë. Mos e humbni kurrë ëndrrën. 3088 anëtarë të rinj të PD-së është një ëndërr, është e pabesueshme. Ju bëni ëndrrën realitet, ju bëni të mundur që në Shkodër në 23 qershor nuk do marrim shtatë mandate, por tetë mandate, në mënyrë që në mandatin e ardhshëm të PD-së ne të marrim një rezultat spektakolar, tha Topalli. Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, kryetarja e Kuvendit Topalli tha se ai do të jetë rezultat si ai që PD-ja arriti në zgjedhjet e 92-it. Në 23 qershor ne do marrim një rezultat si në 92, sepse të rinjtë guxuan ta shpëtojnë Shqipërinë nga gremina e diktaturës. Ju jeni brezi i shpresës, i optimizmit. Ju e dini se Berisha është njeriu që mban fjalën. Ju e dini që Berisha beson më shumë se çdokush tjetër tek ju të rinj e të reja, deklaroi Topalli. Duke u ndalur tek zgjedhjet e 2005-ës dhe ato të 2009-ës, Topalli tha se fitorja e PD-së në këto zgjedhje erdhi nga vota e të rinjve shqiptar ndërsa tha se gjatë këtyre tetë viteve qeveria e ka shpërblyer besimin e tyre, me liberalizimin e shkollave, rritjen e numrit të studentëve apo mundësinë për të lëvizur të lirë në vendet e BE-së. Në përfundim të fjalës së saj, Topalli u shpreh e sigurtë se falë votave të të rinjve PD do të arrij të sigurojë mandatin e tretë qeverisës. Unë e di që energjia juaj është uragani i fitores së Partisë Demokratike në 23 qershor,përfundoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Katër vjetori i vrasjes së Xhindit, Ruçi:
Moszbardhja e vrasjes, dështim i qeverisë
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi zhvilloi një vizitë homazh në Roskovec, në nderim të deputetit Fatmir Xhindi i cili u vra katër vjet më parë. Në një prononcim për mediat Ruçi tha se moszbardhja e vrasjes së Xhindit është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Rihapja e hetimeve për vrasjen e Fatmir Xhindit, është si një lojë politike. Çështja e vrasjes së Fatmir Xhindit është hapur dhe mbyllur disa herë,por nuk ka asnjë zgjidhje. Moszbardhja e vrasjes së ish-deputetit të PS Fatmir Xhindi, është dështimi më i madh i politikës shqiptare në luftën kundër krimit, tha Ruçi.
Dule: Jemi gati të votojmë tre ligjet
Vetëm një ditë pas apelit të bërë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta ku ftonte deputetët e parlamentit për të gjetur konsensusin duke votuar tre ligjet që kanë bllokuar integrimin e vendit, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule tha se partia e tij është e gatshme ti votojë ato. Larg statusit nuk na mbajnë 3 ligjet, por fryma politike, tha Dule. Duke u ndalur tek situata e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Vangjel Dule tha se për PBDNJ ky institucion duhet riformatuar nga e para. Për ne është e rrëzuar, duhet të riformohet, të ruajë balancën, u shpreh Dule.