Topalli:Buna u rrit me 6 cm,banorët të evakuohen

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte sot në zonat e përmbytura përgjatë Bunës, në Murriqan, në komunën Ana e Malit dhe ndoqi nga afër vijimin e evakuimeve, shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve.
Duke siguruar banorët se po merren të gjitha masat për kompensimin e dëmeve, Kryetarja e Kuvendit u përsëriti edhe një herë banorëve të mbetur në Obot të largohen nga zonat e rrezikuara ndërkohë që varkat e skafet janë në dispozicion të tyre.
"Nga mbrëmë edhe në Bunë ka vazhduar të rritet niveli me 6 cm. Helikopterët vazhdojnë të vijnë këtu për të ndihmuar me ushqime me ilaçe, me çdo gjë që kanë nevojë banorët. Shtabi vazhdon të marrë masa çdo minutë, çdo orë për të ndjekur situatën dhe zhvillimet e fundit edhe në këtë zonë ashtu si edhe në Murriqan, Shirokë e zonat e tjera. Janë 38 varka të vëna në dispozicion në Dajç. Po ashtu dy skafe, makina transportuese, amfib. Besoj se situata është nën kontroll" theksoi Topalli.