Topi - Lajçak: Nevojë për dialog konstruktiv
Situata dhe klima e rënduar politike e krijuar në vendin tonë me fokus ngjarjet e 21 janarit dhe zhvillimet e vëna re më pas, kanë qënë në fokus të debatit ndërmjet presidentit Topi dhe të Dërguarin e Posaçëm të BE-së në vendin tonë, Miroslav Lajçak.
Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian përmes përpjekjeve, apeleve dhe deklaratave të njëpasnjëshme lidhur me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, duke e quajtur misionin e zotit Lajçak: “një mision jetik për Shqipërinë”.
Kryetari i shtetit ritheksoi qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta mes palëve është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së krizës politike dhe garanti i stabilitetit dhe i funksionimit të drejtë të shtetit ligjor dhe institucioneve, në frymën dhe sipas standardeve demokratike. Topi vuri në dukje se klasa politike shqiptare në këto momente duhet të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë, demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane.
Gjatë takimit, zoti Lajçak, edhe në emër të autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian si Baronesha Eshton dhe Komisioneri Fyle shprehu shqetësimin e madh për krizën politike në Shqipëri e për dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të saj, duke vënë në dukje se kjo situatë, pavarësisht sukseseve të mëdha të arritura si: anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe përparimi, në rrugëtimin integrues për në familjen evropiane, është vendimtare dhe po pengon procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë “e zhvillimit të një hetimi tërësor, profesional, transparent e të paanshëm të ngjarjeve të 21 janarit” që duhet të shoqërohet njëkohësisht edhe me rivendosjen e menjëhershme të dialogut politik institucional si dhe respektimin e institucioneve të pavarura kushtetuese.