Topi- Dautoglu:Bashkëpunimi, shembull për rajonin

Bashkëpunimi dhe niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Shqipërisë, mund të shërbejë si shembull edhe për vendet e tjera të rajonit. Kështu deklaroi presidenti Bamir Topi, gjatë një takimi pune me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Dautoglu. Ky takim vjen në kuadër të punimeve të Samitit të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Malin e Zi. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme shqiptare, Edmond Haxhinasto.
Presidenti Topi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Turqisë, duke i cilësuar ato “marrëdhënie historike vëllazërore”.
Gjithashtu, Kryetari i Shtetit shqiptar vuri në dukje edhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve ekonomike-tregtare mes dy vendeve tona.
Ministri i Jashtëm turk, Dautoglu ndau të njëjtën pikëpamje me Presidentin Topi lidhur me përfshirjen dhe pjesëmarrjen e shtetit më të ri dhe shumetnik ballkanik, Kosovës në forumet dhe nismat e përbashkëta rajonale.