E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi Berisha dhe klani i tij kercenim per demokracine

Kreu i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi reagoi të mërkurën publikisht ndaj atyre që i konsideroi lumë akuzash dhe shpifjesh që Kryeministri Sali Berisha ka bërë ndaj tij.

"Kryeministri lëshoi një lumë akuzash, fyerjesh e denigrimesh, duke tentuar të njollosë emrin tim në cilësinë e ish- kryetarit të shtetit. Kam bindjen se kushdo që e ka dëgjuar, ka krijuar atë ndjesi që pata dhe unë. Sërish u shfaq në një gjendje të çekuilibruar dhe humbje kontrolli për t'u mëshiruar. I njëjti njeri ka 22 vjet që baltos institucionet dhe jetën publike, njerëzit e ndershëm dhe kritikët e tij, duke vënë në punë një makinë gjigande denigruese, të denjë dhe të krahasueshme vetëm me kohën e udhëheqësit shpirtëror në vitet e fundit të sundimit të tij.Unë e kuptoj shumë mirë rënien e tij në nivele të tilla. Sa herë ai sheh një kërcënim elektoral, e humbet kontrollin dhe është gati të bëjë gjithçka për rivalët e tij. Sikur sjellja e tij të ishte thjesht personale, as unë dhe as bashkëpunëtorët e mi nuk do merreshin me të. Ai mbetet një pacient në fazë të rënduar mendore. Duke qenë se fjalët e tij nuk janë të një qytetari të rrugës, ndonëse me fjalor rrugësh, ai e meriton një përgjigje të drejtpërdrejtë. Me zhargonin e një njeriu të paemancipuar e ligji emrin tim tim me vrasjen e gjyqtarit Skederilajd Konomi dhe me pronat e familjes së tij. Kryeministri që drejton policinë dhe shërbimin sekret, ka detyrimin ligjor dhe aksesin për informim zyrtar, ai nuk heton dhe zbardh të vërtetat e mëdha, por vetëm shpif sepse për të nuk ka rëndësi e vërteta. Ai shpif siç ka bërë për vrasjet e mëdha politike të 22 viteve.", tha Topi.

Duke folur në një konferencë për media, ish-presidenti i Republikës u shpreh edhe se cdo procedurë në KLD-së është bërë me votat e ministrave të qeverisë Berisha dhe me votim të fshehtë të anëtarëve të KLD-së.

"Shqiptarët e dinë se cili politikan e ka krijuar karrierën e tij mbi konflikte permanente. Ata e dinë kush e ka çuar vendin në konflikt civil vetëm për shkak të karrikes së tij. Sikur e dinë se cili politikan kërcënon me jetë nga tribuna e parlamentit", tha Topi.

Kreu i FRD-së akuzoi Kryeministrin se po kërcënon me jetë politikanët, ndërsa theksoi se Berisha tani ka frikë, sepse logjika dhe metoda e tij politike njeh vetëm frikën dhe kërcënimin, gënjeshtrën dhe pabesinë.

"Berisha tashmë e ka humbur mbështetjen politike, publike dhe ka arritur të kuptojë se FRD dhe mijëra qytetarë në mbarë Shqipërinë janë të vendosur të ndahen nga ky model mesjetar dhe bolshevik, i cili hyri në politikë nga zyra e Ramiz Alisë", tha Topi.

Sipas Topit, Berisha dhe klani i tij mbajnë peng politikën, institucionet, median dhe debatin publik dhe përbëjnë një kërcënim real për demokracine, kërcënim për shtetin e së drejtës, përbëjnë një kërcënim për interesat madhore te vendit.

"Unë jam në mision i vendosur për të mos lejuar kalimin e vendit në pashallëkun privat të kryeministrit dhe familjes së tij. Së bashku me kurajo, vullnet dhe votë demokratike të largojmë nga pushteti stalinistin e fundit në Europë", tha Topi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›